LINKOS ose gjuha me të cilën njerëzimi, po tenton të komunikojë me jashtëtokësorët!

30 Korrik 2022, 14:36 / MADE IN ALFA ALFA PRESS

LINKOS ose gjuha me të cilën njerëzimi, po tenton të

Njeriut nuk i ka pëlqyer kurrë të jetojë i vetmuar, prandaj prirja e tij e fuqishme për të zbuluar e takuar qytetërime jashtëtokësore ka qenë e natyrshme.

Vite më parë, ekzistenca e qytetërimeve të tilla ishte një hipoteze e guximshme e fantastike, ndërsa në ditët tona është një mendim i pranuar nga të gjithë studiuesit seriozë.

Kozmosi tani përgjohet sistematikisht. Radioantena të fuqishme kapin zhurmat që na vijnë nga thellësitë e tij. Qindra shkencëtarë i përpunojnë ato me metodat dhe aparaturat më moderne për të zbuluar nëse pas tyre fshihen mesazhe të koduar që vijnë nga qytetërime të largët, mbase shumë më të zhvilluara se ne.

Para disa vitesh u kapen dy burime të fuqishme radiovalësh - STA-21 dhe STA-102, që vinin nga kostelacioni i Dashit dhe Pegasit.

Fakti interesant se ato vinin pas intervalesh kohe rigorozisht të caktuara, si drita e një fari të një porti detar, bënë që të besohet se kemi të bëjmë me sinjale të dërguara nga qenie inteligjente prej qytetërimeve të tjera. Nuk kaluan as 10 vite dhe në kostelacionet e Balenës dhe Gafores, “veshi elektronik” kapi sinjale të tjera, po aq periodike. Materialet e grumbulluara janë aq të shumta sa ka ardhur koha që Tokës tonë nuk i “ka hije” vetëm “të dëgjojë” por edhe ajo ta “thotë” fjalën e saj.

Natyrshëm lind pyetja: Si do të komunikojmë, në çfarë gjuhe?

Specialistët mendojnë se në këtë “kullë të Babelit”, me përmasa kozmike, ku secili flet gjuhën e vet, nuk duhet të na ndodhë si atij që trokiste në portën e të shurdhëritë. Qytetërimi i huaj dhe ai i yni kanë diçka të përbashkët dhe këto janë ligjet e botës materiale, që janë të njëjta për të gjithë.

Mendohet, fjala vjen, se relacionet matematike, që janë të vërteta në Tokë, duhet të jenë të vërteta për çdo qytetërim tjetër, prandaj si gjuhë e përbashkët, mund të shërbejë gjuha e matematikës. Kimistët, nga ana e tyre, na ofrojnë një mendim tjetër interesant. Atomet e elementëve të qëndrueshëm janë të njëjta në gjithë Universin dhe mund të shërbejnë si gjuhë.

Këtyre alternativave të mundshme u dha fund libri “Linkos: Gjuha për komunikime kozmike”, që doli si sot 50 vite më parë, në 30 korrik 1968.

Nuk dua të ndalem në hollësira që do t’u lodhin e mërzitin, por mund t’u them se kjo gjuhë kozmike është si gjithë gjuhët e tjerat: ka germat e saj të alfabetit, ka fjalët dhe frazat e saj, ka rregullat gramatikore, por edhe “figuracionet letrare”. Si një gjuhë e re, e porsalindur, po pasurohet dita ditës. Është mendja dhe shpirti njerëzor që po çan hapësirat e pa mata të Universit, me dëshirën e pafre për të gjetur të ngjashmit e vet dhe për të komunikuar me ta./ Përgatiti Klodi Stralla

Po ndodh...