Një 'singularitet' gjeopolitik, Zvicra

7 Qershor 2022, 11:18 / AKTUALITET ALFA PRESS

Një 'singularitet' gjeopolitik, Zvicra

Jo pa qëllim përdora termin “singularitet”, një term i huazuar nga astrofizika për të evidentuar një veçanti jo astronomike por gjeopolitike mu në zemër të Europës!

Një vend i vogël, 41 mijë km2 dhe 8 milion banorë, aq sa jemi dhe ne shqiptarët në Ballkan, 60% malor, pa dalje në det, e rrethuar nga shtete shumë më të mëdhenj e të fuqishëm se ajo, si Franca në perëndim, Italia në jugë, Gjermania në veri dhe Austria në lindje – Zvicra është një veçanti gjeopolitike, kulturore dhe ekonomike.

E themeluar si Konfederatë që në 1 gusht 1291 (kjo është Festa e saj kombëtare), me 26 kantone (njësi) sovrane, sovranitet që ushtrohet përmes referendumeve (demokraci e drejtpërdrejtë), me katër gjuhë të folura (frëngjisht, italisht, gjermanisht dhe romane), neurale politikisht dhe ushtarakisht. Ajo nuk është dhe as ka aspiruar të jetë pjesë e BE-së dhe NATO-s dhe megjithatë është qendra e shumë prej organizatave ndërkombëtare si Lidha e Kombeve dikur dhe sot seli e OKB-së pas New York-ut, e Komitetit ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, e Komitetit Olimpik botëror (Lausanne), e Forumeve ndërkombëtare ku përpunohen politikat botërore afatgjata (Davos) dhe vendi i Bankave më të fuqishme të botës. Ajo ze vendin e dytë në botë në GDP për frymë të popullsisë, të nëntin në fuqinë blerëse, të dytin në optimizmin për jetën, të parin në konkurueshmëri ekonomike dhe turistike, duke qenë në dhjetë vendet e para më pak të korruptuara të planetit.

Rilindasit tanë e mendonin të ardhmen e Shqipërisë si një Zvicër të Ballkanit. Akti i mëvetësisë (korrik 1913) e përcaktoi atë si një principatë neutrale por fatkeqësisht, me sa duket pozita e saj gjeopolitike, e orientoi me palët ndërluftuese gjatë dy luftërave të fundit, ndonëse pa dëshirën e saj.

Çfarë na pengon ne shqiptarët të bëhemi Zvicra e Ballkanit? Mundësia (pozita gjeografike), tradita (historia e shkuar) apo vullneti (komb-formimi)? Mbase pak nga të tria!

Përgatiti: Klodi Stralla, Alfapress

 

Po ndodh...

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128