Përrallë nga Zullulandi/ Duke rilexuar Konicën

9 Qershor 2022, 09:36 / AKTUALITET ALFA PRESS

Përrallë nga Zullulandi/ Duke rilexuar Konicën

90 vite më parë Konica ynë na ka lënë tregimin satirik “Katër përralla nga Zulullandi”, qe ua rekomandoj t'a lexoni. Për nga mesazhi që përcjell, për nga problemet qe shtron, për nga niveli artistik i shoqëruar aq bukur me humorin thumbues, qe ai e zotëronte më mire se kushdo tjetër, ajo mbetet ende aktuale edhe sot për ne shqiptarët.

Ngjarjet dhe personazhet e çojnë lexuesin në Afrikë, por disa nga problemet dhe shqetësimet nuk janë të huaja për shoqërinë shqiptare të kohës. Ai tregon për Zullutë, për një popull të prapambetur të Afrikës, të shtypur nga kolonizatorët e huaj, që ndodhet në një nga udhëkryqet e historisë së tij.

Bijtë e tij më të mirë aspirojnë e përpiqen për një jetë të lirë dhe shtet të pavarur. Por rruga drejt lirisë së vërtetë nuk është aq e lehtë, aq më tepër për popullin e Zullulandit që, ndonëse plot energji dhe kulturë origjinale, nuk e ka fituar plotësisht ndërgjegjen kombëtare. Ai është në kërkim të udhëheqësve të vet, që do t'i prijnë në luftë, dhe kjo përbën boshtin e veprës.

Lëvizja e zulluve ka nxjerrë dy udhëheqës të mundshëm, të cilët qëndrojnë në pozita krejt të kundërta: Deni-Zulla-Sepia dhe Plugu.

I pari është një politikan aventurier, mashtrues e demagog, përfaqësues i interesave të ngushta të tribuve, që bën lojën e të huajve dhe përpiqet për një lëvizje të ngushtë mbi baza fisnore që e mban popullin në skllavëri.

I dyti, Plugu, është udhëheqësi i vërtetë i popullit që pa bujë, me një mençuri të heshtur, synon e punon të krijojë një lëvizje të vërtetë kombëtare në Zulluland. Ai përpiqet t'i kthejë "zullutë nga një turmë e përgjakur në një komb me dinjitet dhe atdheun në një vend të bashkuar, të lirë, të qytetëruar e me nder. Vetë emri Plug i heroit të veprës është kuptimplotë, përderisa kërkon e lufton të plugojë mendjen e popullit të paditur, të zgjojë e t'a drejtojë atë në rrugë të mbarë. Mirëpo njerëzit e vendit të tij nuk e kuptojnë, nuk e besojnë, madje e fyejnë dhe e kërcënojnë, janë gati t'a ndëshkojnë. Autori vë në dukje dramën e këtij idealisti të pastër dhe besnikërinë e tij ndaj interesave të atdheut. Skenat masive, debatet në kuvendet e krerëve, manifestmet plot zhurmë e bujë të turmave, theksojnë pozitën dhe gjendjen e rëndë shpirtërore të Plugut.

Konica si një njohës i historisë së popujve dhe psikologjisë të tyre ka kapur me mprehtësi dhe e ka kthyer në art një dukuri historiko-sociale: - Ekzistencën e turmës si një masë e pavetëdijshme e zhveshur nga aspirata kombëtare, e pushtuar nga instikte shkatërruese. Një turmë e tillë, në jetën e popujve të pazhvilluar, siç paraqiten zullutë, bëhet lehtë pre dhe viktimë e demagogëve dhe sharlatanëve politikë, e njerëzve si Sepia që i shfrytëzon për qëllime të mbrapshta. Turma e ndërsyer, përshkruhet nga shkrimtari nëpërmjet situatave tragjikomike, që arrijnë kulmin, kur Plugu tregon të vërtetën dhe masa ngrihet kundër tij. Tregimi mbyllet me një mendim skeptik, kur Plugu, i dëshpëruar, pohon: “Desha të lëroj shkëmbin”; dhe prej këtij çasti ai braktis atdheun dhe merr rrugën e mërgimit. (këtu aludon për vetveten).

Mesazhi i veprës është ky: - Të punohet për t'a ngritur popullin, për t'a ndërgjegjësuar, për t'a 'pluguar' mendjen dhe vetëdijen e tij, në mënyrë që të dallojë të vërtetën nga gënjeshtra, të mirën nga e keqja. Në këtë vështrim, rol të veçantë i jepet punës, si faktor zhvillimi dhe emancipimi në jetën e njeriut dhe të shoqërisë.

"Katër përralla nga Zullulandi" është një vepër me vlera të spikatuara ideoartistike. Falë mjeshtërisë narrative dhe sensit të masës autori arrin të krijojë atmosferën e jetës politike, të zbulojë mekanizmin e luftës që zhvillohet, të japë pathosin e saj, veçanërisht të vizatojë me penelata figurat e udhëheqësve dhe të turmës. Nga ana tjetër, të derdhë humorin e tij të hidhur, të stigmatizojë të keqen, me satirë dhe sarkazmë, të rrëfejë e të përshkruajë me një gjuhë të shkathët karakterizuese dhe lakonike.

Le të shpresojmë që edhe shoqëria e sotme shqiptare, ende me tipare fisnore dhe tribale, do t'a gjejë pa tjetër “Plugun” e saj (klasën politike atdhetare), sado që “Deni-Zullu-Sapitë” të mundohen t'a mashtrojnë dhe gënjejnë!

Por, me keqardhje e them, se do të na duhet edhe shumë kohë që kjo ditë e shumëpritur të vije, sepse për të duhet të punojmë te gjithë!

Përgatiti: Klodi Stralla, Alfapress