Brenda shoqërisë më të fshehtë të financave evropiane

17 Shkurt 2024, 10:59 / MISTERE&KURIOZITETE ALFA PRESS

Brenda shoqërisë më të fshehtë të financave
Në fund të tetorit, më shumë se 40 nga bankierët më të fuqishëm të Evropës u mblodhën në hotelin “Dolder Grand” me pamje nga Cyrihu për tre ditë diskutime rreth gjendjes së industrisë së tyre.

Të pranishmëve iu dha mundësia për të pyetur ministren e Financave të Zvicrës Karin Keller-Sutter dhe Guvernatorin e bankës qendrore Thomas Jordan, pak më shumë se gjashtë muaj pasi dyshja luajtën role kyçe në shpëtimin e “Credit Suisse” përmes blerjes nga rivali i saj “UBS”.

Bisedimet, të cilat nuk u zbuluan publikisht, u organizuan nga një organizatë shumë me ndikim, ekzistenca e së cilës thuajse nuk dihet jashtë anëtarësimit të saj të rrallë.

Institut International d’Etudes Bancaires është klubi më ekskluziv dhe më i fshehtë i rrjeteve në financat evropiane, ku bosët e bankave përballen me të ftuar nga presidentët dhe kryeministrat deri te anëtarët e familjeve mbretërore dhe bankierët qendrorë.

“Ky nuk është si Davos, ku çdokush mund të blejë pjesëmarrjen,” tha një anëtar i vjetër për Financial Times.

“Kjo është me të vërtetë ekskluzive.”

Ndërsa IIEB u krijua për të nxitur lidhje më të ngushta midis bankave në një kohë tensionesh gjeopolitike dhe sfidash ndaj stabilitetit financiar në të gjithë Evropën, mbledhjet e tij të fshehta dhe luksoze rrezikojnë të duken jashtë konformizmit me pritshmëritë moderne për transparencë.

“Ne ishim anëtarë prej dekadash kur organizata i shërbente një qëllimi për të afruar bankat evropiane”, tha Pär Boman, kryetar i bankës suedeze “Handelsbanken”, për FT.

“Por pas krizës financiare ne ndjemë ekstravagancën e saj dhe mungesën e transparencës që nuk i përshtaten vlerave tona.”

Për 73 vjet, IIEB ka mbledhur krerët e bankave më të mëdha të Evropës dy herë në vit në hotele luksoze dhe pallate mbretërore në gjithë kontinentin për të diskutuar tema të ndjeshme si marrëveshjet e M&A (Mergers and Acquisition) dhe politikëbërja globale.

Grupi nuk ka faqe interneti dhe anëtarësia e tij, axhendat dhe procesverbalet e takimeve nuk bëhen publike. Anëtarët janë të shkurajuar të ndajnë hollësitë e diskutimeve, thanë disa për FT në kushte anonimiteti.

Përveçse është një forum për shkëmbimin e ideve midis financuesve më të lidhur në Evropë, IIEB është një klub social elitar ku, për tre ditë, partnerët e bankierëve shijojnë darka gala, turne private në monumentet historike dhe udhëtime pazaresh të nivelit të lartë.

Ndërsa huadhënësit e Evropës janë nën presion për të përmirësuar vlerësimet e tyre të dobëta – pasi kanë rënë shumë prapa rivalëve të tyre në SHBA përsa i përket përfitimit në vitet e fundit – dhe me kontinentin që po përgatitet për një valë të paralajmëruar prej kohësh të marrëveshjeve mes ekonomive të ndryshme, IIEB po hyn në një periudhat më të mira dhe më të rëndësishme që kur u krijua pas Luftës së Dytë Botërore.

IIEB u themelua në Paris në vitin 1950 nga krerët e katër bankave nga i gjithë kontinenti – Crédit Industriel et Commercial, Union Bank of Switzerland, Société Générale de Belgique dhe Amsterdamsche Bank – me synimin për të mbajtur diskutime të rregullta të nivelit të lartë mbi zhvillimet në sektorin banker, ekonomi dhe sistemin monetar.

Ishte pjesë e një grupi institucionesh të ngritura gjatë asaj periudhe për të nxitur lidhje më të ngushta midis organizatave nga vendet që kohët e fundit kishin qenë në luftë me njëra-tjetrën.

Qëllimi fillestar i IIEB ishte të përmirësonte lëvizjet ndërkombëtare të kapitalit dhe të luftonte kontrollet e monedhës përballë ndërhyrjeve më të mëdha nga qeveritë kombëtare në sistemin financiar.

Krerët e 30 bankave evropiane u mblodhën në takimin e parë në Paris në prill 1951. Bankat britanike nuk morën pjesë pasi Banka e Anglisë fillimisht kishte bllokuar anëtarësimin e tyre.

Ilaria Pasotti, një studiuese që ka hulumtuar arkivat e hershme të organizatës, tha se temat në diskutim pasqyronin shqetësimet e bankierëve evropianë gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 20-të.

Ndërsa në vitet 1950 kishte shumë diskutime për formimin e filialeve në ish-kolonitë, në vitet 1960 vëmendja ishte kthyer tek roli ndërkombëtar i dollarit, problemet me sistemin e kursit fiks të këmbimit të “Bretton Woods” dhe kërcënimi i marrjes së bankave evropiane nga amerikanët.

Nga fundi i shekullit, bisedimet e IIEB ishin më të shqetësuara për ndikimin e euros, rritjen e tregut të derivateve dhe marrëveshjet e M&A midis bankave të mëdha.

“Ka vetëm një numër të vogël fotografish nga mbledhjet në arkiva, të cilat janë kryesisht nga darkat, mbrëmjet e koktejeve dhe vizitat në muze e pallate”, tha Pasotti.

“Kjo nënvizon natyrën konfidenciale të takimeve.”

Ka vetëm 18 fotografi brenda arkivave të bandës italiane “Intesa Sanpaolo” të viteve të para të takimeve të IIEB-së.

Dëshira e klubit për fshehtësi i bën disa anëtarë të ndjeshëm lidhur me perceptimin nga jashtë si një kartel. Ata këmbëngulin se bankat janë ende konkurrentë komercialë me njëra-tjetrën.

Në një nga fjalimet e pakta të shpallura publikisht dhënë IIEB-së, nënpresidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Lucas Papademos filloi t’i drejtohej takimit të IIEB të tetorit 2006 në Athinë, duke cituar paralajmërimin e Adam Smith kundër marrëveshjeve të fshehta nga libri “The Wealth of Nations” (Pasuria e kombeve): “Njerëzit e së njëjtës tregti rrallëherë takohen së bashku, qoftë për qejf apo për diversion, por në ato raste kur takohen biseda përfundon në një komplot kundër publikut ose ndonjë trillim për të rritur çmimet”.

Papademos vijoi: “Nëse ai do mund ta kishte parë këtë mbledhje të bankierëve kryesorë nga e gjithë Evropa, a do kishte shprehur një opinion të tillë, i cili do ishte gjithashtu një shkak alarmi për një bankier qendror për shkak të ‘sajimit të mundshëm për të rritur çmimet’? Dyshoj shumë.”

Ministria Zvicerane e Financave dhe Banka Kombëtare konfirmuan, përkatësisht, pjesëmarrjen e Keller-Sutter dhe Jordan në takimin e tetorit në Cyrih, pasi u kontaktuan nga FT. Ata dhanë edhe hollësi rreth asaj që kanë biseduar.

Gjatë fjalimit të Keller-Sutter, ajo fajësoi menaxhimin e saj për flimentimin e “Credit Suisse”, ndërsa Jordan diskutoi gjithashtu bankën e falimentuar si pjesë e komenteve mbi stabilitetin financiar.

Pavarësisht nga rëndësia e temave në diskutim, nuk ka pasur pothuajse asnjë mbulim shtypi të veprimtarive të IIEB-së gjatë më shumë se shtatë dekadave të tij – me përjashtim të një takimi në maj 2010.

Boman, i cili në atë kohë ishte shefi ekzekutiv i “Handelsbanken”, u largua nga IIEB-ja në prag të një takimi treditor që banka e tij po organizonte në shenjë proteste ndaj mungesës së transparencës së grupit dhe kostove të organizimit të një takimi të tillë në kulmin e krizën e borxhit të eurozonës.

Bankat pritëse në mbledhjet e IIEB-së pritet të paguajnë për akomodimin dhe argëtimin, ndërsa punëdhënësit e pjesëmarrësve marrin faturën për udhëtimin. Ngjarja e Stokholmit kishte përfshirë akomodimin për më shumë se 40 krerë të bankave dhe partnerët e tyre në “Grand Hotel” me pesë yje, darkë në shtëpinë e operës së qytetit dhe një udhëtim ekskluziv blerjesh për bashkëshortët.

“Ne nuk ishim kundër një takimi në Stokholm për të diskutuar çështjet bankare,” kujtoi Boman për FT. “Por rrethanat e takimit, që u mbajtën në fshehtësi dhe kishin një program ekstravagant pjesëmarrës me gra dhe burra, ne menduam se ishte aq larg nga kultura e Handelsbanken.”

Ndër veprimtaritë e tjera të kohës së lirë që u ofroheshin bashkëshortëve në takimet e IIEB-së ishin lëvizja me motoçikletë mbi fusha akulli gjatë bisedimeve në Reykjavik në vitin 2007 dhe një turne privat në Kështjellën Sao Jorge të Lisbonës në majë të kodrës në vitin 2019, e kompletuar me udhëtime me tuk-tuk (lloj mjeti) dhe ëmbëlsirat e shijshme ‘pastel de nata’.

Mysafirët e profilit të lartë janë një element kryesor i mbledhjeve të IIEB-së. Në vitin 2000 dhe përsëri në vitin 2009, grupi u prit nga Princi Andrew, fillimisht në Pallatin e St James dhe më pas në Pallatin Buckingham.

Në takimin e parë të IIEB-së në Rusi, në Shën Petersburg në vitin 2013, grupi pati një fjalim nga ish-presidenti Dmitry Medvedev, ndërsa klubi mirëpriti Recep Tayyip Erdogan, tani president i Turqisë, në një mbledhje në Stamboll kur ai ishte ende kryeministër i vendit.

Në një fotografi të rrallë publike nga një takim i IIEB-së, presidenti italian Sergio Mattarella mund të shihet në Pallatin luksoz Quirinal të Romës në vitin 2015 duke i folur një dhome krerësh të bankave, duke përfshirë Sergio Ermotti të “UBS” dhe ish-shefin e “Lloyds Banking Group”, Antonio Horta-Osorio.

Marrëveshjet midis bankave janë një temë e zakonshme bisede në margjinat e biznesit zyrtar, sipas anëtarëve, megjithëse shumica e bisedave janë hipotetike. Por një nga marrëveshjet më të mëdha të M&A (Mergers and Acquisitions) të bankave në Evropë u vulos në një takim të IIEB-së në “Hilton” në Bruksel në vitin 1997.

Atje, shefi ekzekutiv i “Sëiss Bank Corporation” Marcel Ospel dhe homologu i tij në “Union Bank of Switzerland”, Mathis Cabiallavetta, ranë dakord për bashkimin e aksioneve prej 29.3 miliardë dollarësh të bankave të dyta dhe të treta më të mëdha të Zvicrës për të formuar “UBS”-në.

Që atëherë, Zvicra ka pasur gjithmonë tre vende në IIEB për krerët e “UBS”, “Credit Suisse” dhe “Lombard Odier”. Kolapsi i “Credit Suisse” vitin e kaluar ka lënë një vend të lirë që shefi ekzekutiv i “Julius Baer” do marrë në takimin e ardhshëm të institutit, që do zhvillohet në Dublin në maj.

Philipp Rickenbacher, i cili kishte planifikuar të merrte pjesë, u largua nga banka zvicerane javën e kaluar pasi ai anuloi 606 milionë Franga hua për grupin austriak të pronave “Signa”.

Por nuk është vetëm biznesi bankar që diskutohet. Një anëtar kujtoi se kishte marrë një telefonatë nga Eddy Wauters, sekretari i përgjithshëm afatgjatë i IIEB-së, i cili kishte qenë kryetar i “KBC Bank”.

Wauters ishte një ish-futbollist profesionist, i cili kishte përfaqësuar Belgjikën dhe ishte miqësuar me Marilyn Monroe ndërsa luante në SHBA në vitet 1950. Ai arriti të bëhej menaxher dhe më vonë kryetar i klubit të futbollit “Royal Antwerp”.

Wauters po telefononte sepse “Royal Antwerp” po negocionte shitjen e një lojtari te një klub në vendin e origjinës së drejtorit ekzekutiv të bankës dhe ai donte të dinte nëse klubi blerës kishte ndonjë vështirësi financiare dhe nëse kishte të ngjarë të paguante plotësisht tarifën e rënë dakord.

Hetimi tregoi se IIEB-ja po përmbushte synimet e tij kryesore, sipas kreut.

“Kjo është një organizatë shumë e veçantë,” thanë ata.

“Ka të bëjë me shkëmbimin e informacionit dhe nxitjen e miqësisë mes krerëve të bankave.”/Përktheu nga "FT", Hashtag.al

 

Po ndodh...

ide