Çfarë ndodhet në anën e errët të Hënës? NASA shpreson se aty fshihet sekreti i jetës në Tokë

4 Prill 2026, 20:19 / MISTERE&KURIOZITETE ALFA PRESS

Çfarë ndodhet në anën e errët të

Kur astronautët e misionit Artemis II të arrijnë në anën e largët të Hënës, komunikimi me Tokën do të ndërpritet, sepse Hëna do të bllokojë sinjalet. Gjatë kësaj ndërprerjeje që zgjat pothuajse një orë, tre astronautë amerikanë dhe një kanadez do të kryejnë vëzhgime shkencore që mund të ndihmojnë në kuptimin e origjinës së jetës në Tokë.

Pamja që do të shohin nuk i ngjan diskut të qetë dhe të ndritshëm që shohim nga Toka. Ana e largët e Hënës është e mbuluar me kratere të shumta dhe shenja të krijuara nga miliarda vite përplasjesh me asteroidë. Këto gjurmë përfaqësojnë një arkiv natyror të asaj që mund të ketë përjetuar edhe Toka në fillimet e saj, duke ofruar të dhëna të rëndësishme për mënyrën si mund të jetë formuar jeta.

Astronautëve u është kërkuar të përqendrohen veçanërisht në dy struktura: basenin oriental dhe basenin Polit Jugor-Aitken, krateri më i madh dhe ndoshta më i vjetër i njohur në Sistemin Diellor. Të dy datojnë rreth katër miliardë vite më parë, gjatë periudhës së quajtur Bombardimi i Madh i Vonë, kur asteroidët godisnin shpesh Hënën dhe Tokën. Kjo periudhë përkon me kohën kur jeta nisi të shfaqej në planetin tonë. Një teori sugjeron se farat e para të jetës mund të kenë ardhur pikërisht përmes këtyre asteroidëve, dhe gjurmët e tyre mund të ruhen ende në krateret e anës së largët.

Sipas astronautes Christina Koch, Hëna është si një “dëshmitare” që ruan historinë e hershme të Tokës, histori që në planetin tonë është fshirë nga erozioni dhe proceset tektonike. Studimi i saj mund të ndihmojë shkencëtarët të kuptojnë më mirë formimin e Sistemit Diellor, lindjen e planetëve dhe mundësinë e ekzistencës së jetës diku tjetër.

Artemis II do të fluturojë shumë më lart se misionet Apollo,rreth 7400 kilometra mbi sipërfaqen hënore, duke u dhënë astronautëve një pamje më të gjerë dhe mundësinë për të parë zona që syri i njeriut nuk i ka vëzhguar kurrë drejtpërdrejt. Ndryshe nga Toka, ku proceset gjeologjike ndryshojnë dhe shkatërrojnë shkëmbinjtë me kalimin e kohës, sipërfaqja e Hënës ka mbetur pothuajse e pandryshuar, duke ruajtur historinë e lashtë të hapësirës.

Korja e anës së largët është më e trashë, gjë që ka penguar mbushjen e kratereve me lavë dhe i ka ruajtur ato si një kapsulë kohe. Astronautët do të studiojnë veçanërisht unazat e mbetjeve të basenit Oriental, të krijuara rreth 3.8 miliardë vite më parë nga goditja e një asteroidi gjigant.

Po aq mbresëlënës është edhe baseni Poli Jugor-Aitken, rreth 2600 kilometra i gjerë, ku shkencëtarët besojnë se mund të gjendet bërthama prej hekurnikeli e një asteroidi të lashtë të ngulitur në Hënë. Studimi i tij mund të ndihmojë në përcaktimin e momentit kur përplasjet e dhunshme në Sistemin Diellor u qetësuan dhe kushtet u bënë të përshtatshme për jetën në Tokë.

NASA ka plane ambicioze për të ardhmen e kësaj zone. Largësia nga zhurma elektromagnetike e Tokës e bën anën e largët vend ideal për teleskopë hapësinorë, dhe dy projekte observatorësh janë tashmë në planifikim. Me kthimin e njerëzve në Hënë pas suksesit të Artemis II, kjo anë misterioze mund të bëhet së shpejti më pak e largët për njerëzimin. /The Telegraph

Po ndodh...

ide