'Partizani'/ Dëshmon ish-drejtoresha e Sporteve: Synonim zhvillimin e sportit elitar, kompleksi kishte asete, ishte i rëndësishëm për Shqipërinë
Në gjyqin e aferës Partizani, dëshmoi ish-drejtoresha e Sporteve Violeta Shqevi e cila është thirrur bashkë me ish-ministrin Ylli Pango, nga të cilët SPAK synon të zbardhë se si të dy u vunë në dispozicion të urdhrave të Berishës për të bërë gjithçka për privatizimin e “Partizanit” dhe pse e ndryshuan disa herë ligjin për “Sportin” derisa u qep si kostum për planin e Malltezit për të ndërtuar 19 kulla në territorin e ish klubit sportiv.
Para trupës gjykuese, Shqevi tha se se ka qenë koordinatore e strategjisë së sportit 2008-2020, duke thënë se qëllimi i kësaj strategji kishte synim zhvillimin e sportit elitar.
Sipas saj, Klubi Sportiv Partizani kishte një rëndësi të veçantë për sportin shqiptar dhe dispononte asete të konsiderueshme, ndërsa qëllimi i Ministrisë së Sporteve ishte zgjerimi i infrastrukturës sportive dhe jo ndryshimi i destinacionit të objekteve.
E pyetur nëse ka qenë e punësuar në Ministrinë e Kulturës, Shqevi ka deklaruar se ka punuar si juriste që në vitin 2007 dhe më pas ka mbajtur detyra të ndryshme institucionale. Shqevi deklaroi se klubi “Partizani” ishte në përgjegjësinë e ministrisë dhe përfshinte disa disiplina sportive, me përjashtim të futbollit. Sipas saj, klubi dispononte asete dhe godina të ndryshme sportive, përfshirë ambiente për gjimnastikë, mundje dhe peshëngritje.
E pyetur nga prokurorët e SPAK nëse këto prona ishin të regjistruara, Shqevi tha se nuk kishin qenë të regjistruara dhe se drejtoria nuk kishte informacion të qartë për ekzistencën e një pronari formal apo për çështje zaptimi të mundshëm. Ajo shtoi se kishte kërkuar me shkresa nga eprorët regjistrimin e pronave të klubit “Partizani”, për të qartësuar statusin e tyre juridik. Sipas dëshmisë së saj, në atë periudhë ishin ngritur shqetësime edhe për pengimin e aktiviteteve sportive nga disa familjarë, të cilët, sipas saj, kishin zënë hapësira të territorit të klubit.
Në lidhje me ndryshimet ligjore të vitit 2007 dhe 2008 për sportin, Shqevi tha se kishte qenë pjesë e stafit dhe se në atë kohë ishte ndjekur një strategji shtetërore për transformimin e klubeve sportive në shoqëri aksionere brenda dy viteve. Ajo shtoi se, sipas diskutimeve të asaj kohe, krahas transformimit të klubeve, ishte parashikuar edhe privatizimi i objekteve sportive. “Ne kemi bërë përpjekje për rritjen e infrastrukturës sportive, pasi vendi kishte mungesë të theksuar të saj,” deklaroi ajo. Shqevi tha gjithashtu se, në rast privatizimi, ishte kërkuar që shteti të garantonte zëvendësim të hapësirave sportive, duke përmendur modele të ngjashme si ai rumun për administrimin e sportit.
Pjesë nga dëshmia e Violeta Shqevit
Përgjigjja e Shqevit për SPAK
Violeta Shqevi: Kam qenë e punësuar pranë Ministrisë së Kulturës dhe Sporteve, fillimisht si juriste në vitin 2007, më pas si drejtoreshë. Kam qenë në rolin e kryetares dhe koordinatores së Strategjisë së Sportit 2008-2020.
Qëllimi i strategjisë ka qenë zhvillimi i sportit elitar dhe i sportit masiv, gjë që do të arrihej përmes disa mekanizmave të rëndësishëm, siç ishte rritja e infrastrukturës sportive në vend. Në atë kohë, klubet sportive ishin persona juridikë publikë. Synohej modernizimi i klubeve sportive, të cilat do të kishin një qasje të re dhe duhej të ishte e qartë mënyra se si do të zhvilloheshin. Na ishte lënë një afat dyvjeçar.
Klubin Partizani e njoh si klub sportiv. Në atë kohë ne menaxhonim të gjithë klubin shumësportësh, me përjashtim të futbollit. Klubi kishte asete që nuk ishin në përgjegjësinë tonë të drejtpërdrejtë dhe për këtë arsye u shfaqën shqetësime nga drejtuesit.
Asetet ndodheshin në qendër të klubit. Zona ishte pranë shkollës “Naim Frashëri”, poshtë rrugës “Frosina Plaku”. Sipër palestrës së gjimnastikës kishte një palestër tjetër, ndërsa në një godinë tjetër zhvillohej mundja dhe disa sporte të tjera. Për ne ishte shumë i rëndësishëm zhvillimi i aktivitetit sportiv. Klubi Sportiv Partizani ishte shumë i rëndësishëm për të gjithë Shqipërinë.
Në tetor 2007 kam qenë pjesë e stafit të Drejtorisë Juridike. Sigurisht që shihej një qasje e re për zhvillimin e sportit. Shteti kishte vendosur një afat dyvjeçar për transformimin e klubeve sportive në shoqëri aksionare. U pa si e rëndësishme që të përfshiheshin edhe të tretët dhe të merreshin në konsideratë format e koncesionit.
Në vitin 2008 u ngrit një grup teknik për përcaktimin e disa objektivave strategjikë për zhvillimin e sportit, një prej të cilëve ishte infrastruktura. Drejtoria e Sportit ka qenë e qartë dhe e prerë; ne kemi kërkuar rritje të infrastrukturës sportive dhe kemi bërë përpjekje për sigurimin e sipërfaqeve, pasi ekspertët teknikë ishin shprehur se sipërfaqja sportive për frymë në Shqipëri ishte 0.008.
Ne propozuam që të zbatohej modeli rumun, sipas të cilit ministria përgjegjëse për sportin dhe qeveria do të duhej t’i zëvendësonin këto sipërfaqe në një vend tjetër. Ky ishte vendim i qeverisë, por ne duhej të ishim konsekuentë në mbështetjen e grupit teknik.
Ne ishim pro rritjes së infrastrukturës sportive, pa ndryshuar destinacionin e saj. Nuk ishim ne vendimmarrësit; ne kërkuam zbatimin e ligjit.
SPAK: Ku ishin këto godina?
Shqevi: Ishin dy në qendër te klubit, si mund të themi poshtë 21 dhjetorit, si zonë.
SPAK: Sa palestra kishte?
Shqevi: Ishte palestra e gjimnastikës, po ashtu palestra e basketbollit dhe volejbollit. Në memorien time ishin palestrat e tjera.
SPAK: A kane qene te regjistruara?
Shqevi: Jo nuk kanë qenë të regjistruara, drejtoria e sportit s’ka pasur informacion të qartë për ekzistencën e ndonjë pronari, apo se ishin zaptuar. Unë u kam kërkuar eprorëve …
SPAK: Në qershor 2008 ministria e turizmit, shfaqet iniciatorë për ligjin për sportit, përveç koncesionit shfaqet dhe privatizimi, keni dijeni për këtë?
Shqevi: Po në atë kohë përveç klubeve do të bëhej edhe privatizimi i objekteve, në atë kohë një grup teknik do të bënte një strategji për përmirësimin e sportit. Kemi bërë përpjekje për rritjen e infrastrukturës, pasi ne ishim me infrastrukturë, shumë më të vogël për pjesën sportive. Ne kërkuam që nëse do të privatizohen, shteti duhet t’i zëvendësonte ato me hapësira të tjera. Ne ishim pro rritjes së infrastrukturës sportive. Ne kemi kërkuar zbatimin e ligjit rumun, nëse do të ndodhte privatizimi.
Përgjigjja e Shqevit për mbrojtjen
Violeta Shqevi: Kompetencat e mia ishin organizimi i drejtorisë përkatëse, hartimi i politikave dhe detyra të tjera në përputhje me legjislacionin. Ne nuk kishim lidhje me pasuritë e paluajtshme. Klubi sportiv, sipas ligjit, është një organizatë sportive që funksionon si shoqëri aksionare pas vitit 2005. Objektet sportive janë objektet sportive të mbyllura.
Strategjia për të cilën po punonim vazhdonte të trajtohej pranë Ministrisë së Financave. Kjo e fundit pretendonte se kostot ishin të larta. Për këtë arsye strategjia nuk mori miratimin e Ministrisë së Financave. Strategjia nuk u miratua për shkak të mungesës së fondeve gjatë vitit 2008.
Po ndodh...
Protesta nuk është vetëm e "protestës"
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128