Celibashi rrëzon Berishën dhe “thërret” Bashën në KQZ, debati mes Patozit dhe Bushatit

9 Mars 2023, 20:30 / POLITIKË ALFA PRESS

Celibashi rrëzon Berishën dhe “thërret” Bashën

Ish kryetari i PS për Tiranën, Ervin Bushati dhe Astrit Patozi nga Bindja Demokratike diskutuan sot në “Top Talk” me Juli Xhokaxhi zhvillimet në KQZ, ku Ilirjan Celibashi nuk regjistroi asnjë nga palët për zgjedhje, por kërkoi Lulzim Bashën si kryetar nga vendimi i Gjykatës.

I pyetur nëse ky vendim i Celibashit, po detyron rikthimin e Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike, Patozi përgjigjet:

“Në aspektin formal de juridik, sigurisht që Lulzim Basha duhet të paraqitet si kryetari i Partisë Demokratike, por unë nuk besoj se është ndonjë sakrificë e madhe, për sa kohë ai nuk e ka parë të arsyeshme të depozitojë dorëheqjen e tij në gjykatë”.

Lufta e thikave në Partinë Demokratike, e cilëson Bushati, situatën aktuale në partinë më të madhe opozitare.

“Këtë betejë të sotme unë e shoh si rezultat 1 me 1. Një pikë për Bashën jurist dhe një pikë për patriarkun Berisha. Sepse që të quhet kryetar dhe të funksionojë rregullisht, kam përshtypjen që kishin ngatërruar sallat përfaqësuesit e Berishës, sepse po përpiqeshin t’i mbushnin mendjen komisionerit, ndërkohë që gjykata nuk ka dhënë një vendim.

Ndërkohë, kjo luftë politike brenda PD-së mund të zgjasë gjatë, ku ‘babai politik’ do të vrasë ‘djalin politik’. Po shkon drejt një drame të vërtetë që mund të kthehet në tragjike, sepse do të humbasë rëndshëm në këto zgjedhje elektorale. Kjo kuptohet dhe nga lëvizjet e aktorëve kryesorë. Meta ka qenë shumë i qartë që para disa muajsh ka nënshkruar marrëveshje ku kërkon vetëm këshillat bashkiakë. Kuptojmë që edhe Berisha, edhe Meta e dinin çfarë do të ndodhte”.

Sipas Bushatit, nga situata në Partinë Demokratike, do përfitojë Partia e Lirisë, që mund të dalë parti e dytë, pas Partisë Socialiste, thotë ai.

Ndërsa Patozi bën një analizë të dy grupimeve në PD.

“Alibeaj, sot është njeriu më i paqartë për të ardhmen e tij politike. Për fat të keq, edhe pala tjetër është njësoj. Duket se Foltorja ka qenë e përgatitur vetëm për të marrë një përgjigje pozitive, nuk ka qenë e përgatitur për një plan B. Dhe tani nuk e dimë se cilën çadër do të futet për të marrë pjesë në zgjedhje. Ndërkohë, Lulzim Basha me të tjerët, janë edhe më të paqartë, sepse megjithëse kanë avantazhin në duar, nuk po dinë ta shfrytëzojnë”.

PD rrezikon që të mos përfaqësohet fare në zgjedhje, sipas Bushatit.

“Kjo është dramatike. Unë them që të dy palët janë fajtorë”, thotë ai.