Çështja "Gërdeci", Mediu: Do të hedh dritë mbi çdo mospërputhje të ekspertëve

30 Tetor 2024, 11:08 / POLITIKË ALFA PRESS

Çështja "Gërdeci", Mediu: Do të hedh dritë

Në seancën gjyqësore të kësaj të mërkure për çështjen “Gërdeci,” ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu dha një deklaratë të plotë mbi vendimet e tij dhe të institucioneve përkatëse në procesin e demontimit të municioneve. Mediu kritikoi rëndë raportet dhe konkluzionet e ekspertëve, duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe jashtë kompetencës së tyre profesionale. Ai argumentoi se dokumentet konfidenciale dhe licencat e kompanisë SAC, një kontraktore kyçe në këtë proces, kishin marrë miratimin e autoriteteve në SHBA dhe Shqipëri.

Në raportet dhe korrespondencat konfidenciale, MEICO dhe SHISH kanë vërtetuar besueshmërinë e kompanisë SAC. Mbi 80% e dokumenteve të nevojshme nuk janë studiuar nga ekspertët.

Ekspertët japin vlerësime juridike, që janë jashtë kompetencës së tyre.

DASH nuk shqyrton një kërkesë të vetme, por gjithë dokumentacionin. Ekzistojnë shumë detaje që duhen përmbushur përpara se të lejohet transferimi i teknologjisë ushtarake në Shqipëri.

Ekspertët shmangin pyetjet, përfshirë ato nëse janë njohur ose jo me licencat e SAC. Ekspertët nuk kanë njohuri mbi llojet e licencave të nevojshme në SHBA dhe Shqipëri për këtë proces.

Duke hulumtuar dokumentacionin, arrita të gjej disa licenca të SAC, licenca për të cilat është marrë vazhdimisht leje nga SHBA.

Departamentet e Mbrojtjes dhe të Transportit në SHBA kanë dhënë leje për procesin.

Nëse SAC do të ishte kompani mashtruese, atëherë pse prokuroria nuk ka ngritur asnjë çështje ndaj kësaj kompanie? Pretendohet se nuk kanë paguar detyrimet financiare, por unë kam arritur të gjej të gjitha licencat e SAC.

MM, që nga vitet ’90 deri më sot, i ka shitur municionet ofertuesit të parë. Municionet nuk mund të shiten në ankand.

Ekspertët kanë dhënë përgjigje copy-paste nga akt-ekspertimi i tyre i vitit 2008.

Kam kontrata të MEICO-s me Policanin, ku MEICO i ka dhënë dhe transportuar municionin falas. Në Polican, fishekët janë djegur. Janë shpenzuar 8 milionë USD nga partnerët. Demontimi në Polican do të zgjaste deri në 2030-n, ndërsa kërkohej që procesi të përfundonte në 2010-n.

Vlerësimi i ekspertëve është absurd kur pretendojnë se fitimi nga demontimi është më i madh se ai nga shitja”, tha Mediu.