Gledian Llatja ishte në interpelancë me Edi Ramën, dështon mbledhja për “bombën” mjedisore tek “ECO-ELB”

11 Korrik 2025, 18:02 / POLITIKË ALFA PRESS

Gledian Llatja ishte në interpelancë me Edi Ramën, dështon

Mungesa e kryetarit të bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka sjellë dështimin e interpelancës në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, të planifikuar ditën e sotme nga Kryetari i Këshillit, Lutfi Lala, ku do diskutohej rreth “bombës” mjedisore që ndodhi në shoqërinë aksionere “ECO-ELB”.

Kryebashkiaku është justifikuar para këshillit Bashkiak se nuk mund të ishte prezent, pasi në të njëjtën ditë duhet të ishte në një takim me të gjithë bashkiakët e vendit, që ishte thirur sot në Durrës.

Pikërisht në këtë takim Rama mbajti një fjalim për Llatjan, duke e kritikuar, se fle shumë gjumë.

Në mbledhjen e sotme të planifikuar nga Këshilli Bashkiak ishin paraqitur vetëm anëtarët e oopozitës dhe administratori i shoqërisë aksioneve “ECO-ELB”, Leli Kraja.

Nisur nga kjo situatë, mbledhja e thirrur me urgjencë për interpelancë me Gledian Llatjan dhe Leli Krajën, është shtyrë pa caktuar një datë fikse.

Shtyrja e seancës vjen në një kohë kur, pritet që prokuroria e Elbasanit, të finalizojë hetimin për dosjen penale me Nr. 1417, ku të dyshuar janë zyrtarë të 7 bashkive të qarkut Elbasan dhe zyrtarë të shoqërisë aksionere “ECO-ELB”, të cilët dyshohen se kanë “Shpërdoruar detyrën” dhe kanë kryer “Keqmenaxhim të mbetjeve”.

Situata e pazakontë e ndodhur në qytetin e Elbasanit, ku shtëllungat e tymit që dolën nga inceneratori i shoqërisë “ECO-ELB”, mbuluan qytetin duke lënë një ndotje toksike në ajër, u bë shkak për thirrjen në interpelancë të Kryetarit të Bashkisë së qytetit, Gledian Llatja, administratorit të kompanisë Leli Kraja dhe drejtuesit teknik të shoqërisë aksionere.

Mbledhja urgjente pritej të zhvillohet sot në orën 11:00 në ambientet e Qendrës Rinore në Elbasan, ku Llatja dhe dy zyrtarët e tjerë të shoqërisë “ECO-ELB”, do jepnin shpjegime për situatën e paprecedentë të krijuar nga rënia e zjarrit në fillim të muajit korrik 2025 si dhe situatën ekonomike të menaxhimit të mbetjeve.

Nisma për thirrjen e mbledhjes jashtë radhës, u kërkua nga 19 anëtarë të Këshillit Bashkiak Elbasan, të cilët ju drejtuan me një kërkesë kryetarit të Këshillit, Lutfi Lala, duke arsyetuar si më poshtë vijon:

“…kërkojmë thirrjen e një mbledhje jashtë radhe të Këshillit Bashkiak, për të diskutuar situatën emergjente të krijuar nga zjarri i rënë në vendgrumbullimin e mbetjeve pranë inceneratorit, që menaxhohet nga shoqëria “ECO-ELB…”.

Qëllimi i interpelancës ishte sqarimi i rrethanave të incidentit, marrja e përgjegjësive dhe planifikimi i masave për parandalimin e incidenteve në të ardhmen.

Situata e rëndë që ndodhi në ambientet e shoqërisë aksionere “ECO-ELB”, është duke u hetuar dhe nga prokuroria e Elbasanit, e cila ka nisur hetimet për “Keq menaxhim të mbetjeve” dhe “Ndotjes së ajrit”.

Ndërkohë, një dosje e dytë po hetohet sërish nga prokuroria e Elbasanit, ku në fokus janë veprimet ekonomike të kryera nga 8 bashkitë e qarkut Elbasan me shoqërinë “ECO-ELB”.

Për këtë çështje disa zyrtarë janë marrë pyetje nga hetuesit, ndërsa deri në këto momente ka rezultuar se bashkitë Elbasan, Peqin, Përrenjas, Librazhd, Gramsh, Cërrik, Belsh, Rrogozhinë kanë paguar miliona lekë drejt kompanisë “ECO-ELB”, për një shërbim kontraktual siç është incinerimi i mbetjeve përmes impiantit teknologjik.

Por ky impiant thuajse nuk ka punuar në këto 3 vite e 5 muaj, e për pasojë shërbimi i djegies nuk është kryer, por nga ana tjetër pagesat kanë vijuar.

 

Po ndodh...

ide