HETIMI/ Senatori amerikan, për projektet e dhëndrit të Trump në Sazan dhe Beograd: Cilët janë zyrtarët që përfitojnë?
Kryetari i Komitetit të Financave të Senatit të SHBA-së, senatori Ron Wyden ka paralajmëruar se investimet luksoze të planifikuara në Serbi dhe Shqipëri do t'u japin qeverive të dy vendeve të Ballkanit Perëndimor ndikim mbi anëtarët e familjes së ish-presidentit amerikan Donald Trump
Artikull i marrë nga intellinews.com thotë se "Komiteti i Financave i Senatit Amerikan ka zbuluar se zyrtarë të qeverisë serbe dhe shqiptare iu drejtuan në mënyrë proaktive Affinity Partners, një firmë investimi e lidhur me dhëndrin e ish-presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, me propozime për projekte të pasurive të paluajtshme në vendet e tyre përkatëse".
Gjetjet, të zbuluara më 25 shtator në një deklaratë nga komiteti, janë pjesë e një hetimi në vazhdim për investimet e huaja të firmës.
U zbulua më herët në vitin 2024 se Affinity planifikoi të ndërtonte një kompleks hotelesh luksi për të zëvendësuar selinë e braktisur të Shtabit të Përgjithshëm Jugosllav, të bombarduar nga NATO në 1999. Kushner ia prezantoi projektin Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç në qershor.
Affinity planifikon gjithashtu të zhvillojë një resort luksoz në ishullin e Sazanit, një ish-bazë ushtarake dhe park i mbrojtur detar në Shqipëri.
Firma e investimeve ka tërhequr vëmendjen për shkak të përfshirjes së saj me qeveritë e huaja. Hetimi u iniciua në qershor nga Wyden, një demokrat nga Oregon, i cili ka ngritur shqetësime rreth konflikteve të mundshme të interesit dhe ndikimit të huaj.
Letra e Wyden kërkoi të dhëna të detajuara të zyrtarëve shqiptarë dhe serbë që kontaktuan fillimisht Affinity për këto projekte. Sipas Wyden, hetimi kërkon të "identifikojë zyrtarët specifikë të përfshirë në këto komunikime dhe ndërmjetësit".
Gjetjet e komitetit vijnë ndërsa fushata e zgjedhjeve presidenciale në SHBA po merr vrull, me Trump që kandidon si kandidat republikan.
Senatori thotë në letrën e tij se “marrëveshjet e mundshme të pronave të paluajtshme u japin qeverive shqiptare dhe serbe ndikim mbi familjen [e] Trump”.
“Informacionet e reja të marra nga Komiteti në lidhje me marrëveshjet e pasurive të paluajtshme në Serbi dhe Shqipëri tregojnë më tej se si qeveritë e huaja mund të kërkojnë partneritet me Affinity për të fituar ndikim mbi Kushner dhe [vajzën e ish-presidentit Trump] Ivanka Trump,” vazhdon ai.
“Në konferencën me Komitetin, Affinity konfirmoi se qeveria serbe dhe ajo shqiptare do të jenë partnerë të Affinity me aksione të drejtpërdrejta financiare në zhvillimet e pasurive të paluajtshme”.
Konkretisht, Wyden thekson se qeveritë përkatëse do të kontrollojnë lejet, taksat vendore dhe licencat e kërkuara për realizimin e projekteve, si dhe ata duket se zotërojnë tokën ku do të zhvillohen dy projektet. Kjo situatë i lejon qeveritë serbe dhe shqiptare të “nxjerrë lëshime të pazakonta” nga Affinity gjatë procesit.
Rizhvillimi i planifikuar i Affinity i selisë ushtarake të ish-Jugosllavisë në Beograd është veçanërisht i diskutueshëm.
Vendi, i projektuar nga arkitekti i njohur serb, Nikola Dobroviq, ka mbetur si një memorial i bombardimeve mbi luftën e Kosovës dhe shihet nga shumë serbë si një simbol i agresionit të NATO-s.
Në korrespondencë me komitetin e Senatit, Affinity konfirmoi se projekti i Beogradit do të përfshijë një muze kushtuar "viktimave të agresionit të NATO-s", një propozim që Uajden e kritikoi ashpër.
“Është krejtësisht e papërshtatshme për çdo qeveri të huaj që të kërkojë nga një firmë amerikane të marrë pjesë në atë lloj revizionizmi historik antiamerikan, një akt që zbardh spastrimin etnik dhe gjenocidin dhe e riformulon në mënyrë të rreme NATO-n si një antagonist, dhe është skandaloze që një firmë e themeluar dhe në pronësi të familjes së një ish-presidenti të ardhshëm dhe të mundshëm të Shteteve të Bashkuara do të pajtohej me të”, shkruante Wyden në një letër të botuar nga komiteti i senatit.
Pasi u zbuluan planet e Affinity Partners në Ballkanin Perëndimor, disa biznesmenë të tjerë të lidhur me Trump shprehën gjithashtu interes për rajonin.
Në qershor, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova priti një delegacion drejtuesish nga Trump Media & Technology Group dhe figura të tjera të biznesit të lidhur me ish-presidentin amerikan. Kryeministri Hristijan Mickoski tha për televizionin Telma se bashkëpunëtorët e Trump janë duke eksploruar bashkëpunime të mundshme me vendin, duke u fokusuar në projektet e transformimit dixhital.
Në fillim të kësaj jave, media serbe raportoi se djali i madh i ish-presidentit amerikan, Donald Trump Jr., i cili është nënkryetar ekzekutiv i Organizatës Trump, kishte bërë një vizitë të papritur në Beograd, ku shtroi një darkë private me një grup të përzgjedhur biznesi të shquar serb, përfshirë pronarët e kompanive të ndërtimit dhe bankave.
ide
top
receta Alfa
TRENDING
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128