Kryeministri kundërshton GJKKO-në, Lala: Ja çfarë mund të ndodhë me fatin e Ballukut në Gjykatën Kushtetuese

5 Dhjetor 2025, 23:35 / POLITIKË ALFA PRESS

Kryeministri kundërshton GJKKO-në, Lala: Ja çfarë mund

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar këtë në emisionin “Kjo Javë” në News24, komentoi zhvillimet e fundit lidhur me hetimet ndaj Belinda Ballukut.

Sipas Lalës, SPAK po vijon në mënyrë aktive procedurat hetimore, ndërsa Balluku është tashmë e pandehur zyrtarisht. Përveç çështjes kryesore, ndër institucionin e posaçëm janë duke u shqyrtuar edhe një sërë procedurash tenderuese ku po hetohet roli i saj.

Lala theksoi se komunikimet e sekuestruara gjatë hetimit, përfshirë ato të nxjerra nga celularët e ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi, janë kundërshtuar në gjykatë nga vetë Berberi, i cili kërkon që ato të mos njihen si prova. Nga të dhënat e këtyre pajisjeve, sipas gazetares, ka lindur një numër i konsiderueshëm çështjesh të tjera hetimore dhe të pandehurish potencialë. “Kur sheh komunikime të tilla, kuptohet si tenderat përgjatë viteve janë dhënë me preferenca. Jo vetëm që dyshohen dëme me miliona euro, por shfaqen edhe probleme serioze me cilësinë e rrugëve,” u shpreh ajo.

Një tjetër pikë që Lala trajtoi ishte ndikimi i mundshëm i gjuhës politike mbi SPAK-un. Ajo rikujtoi se çështja është në zhvillim e sipër dhe se nuk mund të parashikohet se si do të përfundojë. Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese ka shtyrë shqyrtimin e kërkesës për çështjen Balluku, e parashikuar fillimisht për datën 4 dhjetor.

Kërkesa në fjalë vjen nga kryeministri Edi Rama, i cili ka kundërshtuar vendimin e GJKKO-së për pezullimin nga detyra të Ballukut, duke argumentuar se ky vendim cenon atributet e kryeministrit, Kuvendit dhe Presidentit në kompetencat e tyre për emërimet në ekzekutiv. Përveç heqjes së pezullimit, Rama kërkon edhe interpretim kushtetues për një nen specifik.

Sipas Lalës, çështja fillimisht është shqyrtuar në një kolegj gjyqtarësh, të cilët vendosën ta kalojnë për vendim në mbledhjen e trupës së plotë të Gjykatës Kushtetuese. Kjo nënkupton që të gjithë anëtarët do të vendosin nëse do të shqyrtojnë ose jo kërkesën, dhe nëse do të lënë në fuqi vendimin e GJKKO-së. Ndërsa ishte planifikuar të mbahej më 4 dhjetor, disa gjyqtarë kanë kërkuar kohë shtesë për shkak të volumit dhe ndjeshmërisë së dosjes.

Lala u shpreh se shpreson që Gjykata Kushtetuese të marrë një vendim të drejtë e të paanshëm. Sipas saj, vendimi i GJKKO-së për pezullimin e Ballukut ishte “i drejtë dhe i bazuar”.

Ajo shtoi se mandati parlamentar i Ballukut nuk është goditur, pasi ajo është zgjedhur si deputete, ndërsa pozicionet e zv.kryeministres dhe ministres janë funksione të emërueshme dhe si të tilla, sipas saj, janë të pezullueshme. Lala theksoi gjithashtu se një ministër, pavarësisht funksionit ekzekutiv, gëzon të drejtat e deputetit edhe në rastet e masave shtrënguese.

Sa i takon daljes publike të kryeministrit në mbrojtje të Ballukut, Lala u shpreh se ai “mund të jetë duke u përpjekur të krijojë një mbrojtje për veten”, duke shtuar se mund të ketë frikë nga një veprim i mundshëm i SPAK ndaj tij. “Kryeministri ka të drejtë legjitime t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, por është e rëndësishme që gjykata të mbetet e pavarur,” përfundoi gazetarja.

Po ndodh...

ide