
LaCivita tregon saktësisht çfarë roli do të ketë në PD gjatë fushatës dhe a do qëndojë: Do vij e do iki...


Drejtuesi i fushatës për zgjedhjet e 11 Majit i Partisë Demokratike, Chris LaCivita ka dhënë një intervistë për emisionin ‘Opinion’ në TV Klan.
Përballë gazetarit Blendi Fevziu, LaCivita u ka dhënë përgjigje pikëpyetje të shumta, që prej momentit kur ai u shfaq përkrah Sali Berishës.
E kur kanë mbetur më pak se një muaj nga dita e zgjedhjeve, strategu i fushatës së presidentit amerikan Donald Trump ka zbuluar se cili do të jetë roli i tij në PD.
LaCivita ka folur edhe për sondazhet që zhvillohen herë pas here në mediat shqiptare, për të cilat u shpreh se nuk i beson aspak.
Fevziu: Cili do të jetë roli juaj në këtë fushatën zgjedhore gjatë këtyre 30 ditëve?
LaCivita: Këshilloj kandidatët. Flas me doktor Berishën. Diskutojmë për strategjinë, diskutojmë për mesazhin dhe rëndësinë e mesazhit dhe rëndësinë e të qenit aktiv në terren e të folurit me votuesit në mënyrë që të sigurohesh që njerëzit do të votojnë. Në Shtetet e Bashkuara, Edi Rama dilte dhe i thoshte njerëzve që mos të votonin. E bën diçka të tillë sepse nuk e përballon dot votën e qytetarëve. Po përpiqemi që ti inkurajojmë njerëzit që të shkojnë të votojnë sepse ndjejmë që kjo do të ndihmoj doktor Berishën.
Fevziu: Stafi juaj është këtu? Do të qëndroj këtu gjatë fushatës zgjedhore?
LaCivita: Do të vij e do të iki…
Fevziu: Jo ju, por stafi juaj…
LaCivita: Unë do të vij e do të iki e do të vij sërish. Është një vend shumë i bukur, më duhet ta them…
Fevziu: Sidomos kur ka ditë me diell…
LaCivita: Është shumë e vërtetë…
Fevziu: Por ju nuk keni vizituar asgjë nga Shqipëria përveç Tiranës…
LaCivita: Saktë. Mezi po pres që të dal.
Fevziu: Duhet të jeni një turist i vërtetë siç tha Kryeministri… Por ndoshta pas zgjedhjeve…
LaCivita: Do të jem një turist i vërtetë pasi të fitojë doktor Berisha.
Fevziu: Pas fitores… Cila është pika më e dobët e Partisë Demokratike gjatë kësaj fushate zgjedhore? Sepse Partia Demokratike po del nga një luftë e ashpër brenda saj që ka zgjatur nga 2021 e deri më tani. Cila është pika më e dobët e Partisë Demokratike në këto zgjedhje? ….. Sepse strategët asnjëherë nuk flasin për këtë gjë…
LaCivita: Asnjëherë nuk flas për këtë gjë. Një prej gjërave që më ka bërë përshtypje është fakti që efektivisht bëhet fjalë një koalicion të ri. Megjithatë është një koalicion shumë i unifikuar dhe shumë i fokusuar tek gjërat që do të arrij. Mendoj se kjo është shumë e mirë. Çdo gjë që është e mirë dhe që mund të bëj gjëra, qoftë kjo në politik apo në qeverisje, kërkon pak kohë që rregullohet megjithatë kanë bërë një punë vërtetë shumë të mirë këtu.
Fevziu: Sipas sondazheve që ju keni, cili është problemi më i madh me të cilin përballen shqiptarët?
LaCivita: Ekonomia. Mundësitë ekonomike, punët, qëndrueshmëria ekonomike, kostoja e jetesës, të gjitha këto janë pjesë e ekonomisë.
Fevziu: Pse mendoni se Berisha dhe ekipi i tij do ta zgjidhin këtë problem të Shqipërisë?
LaCivita: Mendoj se kanë një program shumë solid. Jo vetëm që flasim për pagën minimale, flasim për minimum jetik, flasim për vëmendjen që duhet kushtuar në mënyrë që familjet shqiptare të mos copëtohen ngaqë të rinjtë largohen duke shkuar në Itali, në Shtetet e Bashkuara apo në Greqi për të gjetur punë. Mund të qëndrojnë këtu. Familja është shumë e rëndësishme. Të siguruarit që familja do të qëndroj së bashku. Edhe një herë, ka të bëj me ofrimin e shpresës dhe mundësive dhe votuesit e rinj… votuesit e ri në Shqipëri kanë një mundësi shumë të mirë për të vendosur të ardhmen e tyre e si kanë për të ecur gjërat. Më kanë lënë shumë mbresa.
Fevziu: Në këto zgjedhje do të kemi një element të ri, votën e diasporës. Deri më tani janë diku te 250 mijë njerëz të cilët janë regjistruar për të votuar…
LaCivita: Nga jashtë Shqipërisë…
Fevziu: Jashtë Shqipërisë. Mundet që ky numër njerëzish të ndryshoj pushtetin në Shqipëri?
LaCivita: Janë mjaftueshëm vota. Dua të them që janë shumë njerëz.
Fevziu: Është çereku i parlamentit pak a shumë.
LaCivita: Po, janë shumë vota. Mendoj që angazhimi i tyre është shumë i rëndësishëm. Është atdheu i tyre dhe janë ende qytetarë. Është shumë e rëndësishme që në shtetet demokratike njerëzit të ushtrojnë të drejtën e tyre, të drejtën e dhënë nga Zoti për të votuar. Përndryshe nuk bëhet fjalë për demokraci po për diktaturë.
Fevziu: Sipas sondazheve të publikuar në mediat shqiptare, është përpara me më shumë se 10% nga Partia Demokratike. Çfarë mendoni? Si mund ta përmbysni këtë diferencë të madhe midis dy partive?
LaCivita: Si fillim, këto sondazhe nuk janë të vërteta.
Fevziu: Pse mendoni që nuk janë të vërteta?
LaCivita: Kam 35 vite përvoje politike në të gjithë botën dhe sondazhet mediatike…
Fevziu: Nuk besoni tek sondazhet e mediave?
LaCivita: Sigurisht që jo. Jo nuk besoj. Ka pasur kam shumë sondazhe që tregonin që Donald Trump-i nuk do të fitonte. E kam jetuar, e kam parë, e kam përjetuar. Të gjitha sondazhet tregonin që Donald Trump do të humbiste me 8-10%. Të vetmet sondazhe që ne besojmë janë ato për të cilat ne paguajmë. Sigurisht që nuk mbështetemi te media…
Fevziu: Por ju keni sondazhet tuaja…
LaCivita: Kemi dhe nuk flas për to.
Fevziu: Po, patjetër. Nga ana tjetër ama, në 3 zgjedhjet e fundit Rama merr të njëjtën numër votash, diku te 800 mijë, 820 mijë ose 800 mijë vota.
Fevziu: Ky është një fillim i mbarë për të. Si mundet që Partia Demokratike të shkatërroj numrin kaq të madh të votave të Edi Ramës?
LaCivita: Siç ju thash nuk besoj në këto sondazhe por…
Fevziu: Nuk janë sondazhe, janë realiteti i zgjedhjeve të fundit…
LaCivita: Realiteti i zgjedhjeve të kaluara… Mënyra është shumë e thjeshtë. Është shumë e thjeshtë. Ka të bëj me përcaktimin e këtyre 12 viteve të fundit. Ka të bëj me përcaktimin e dështimeve të Edi Ramës dhe qeverisë së tij. Jo vetëm te korrupsioni por edhe te mënyra se ku e ka çuar ekonominë, e cila është shumë e paqëndrueshme. Njerëzit nuk ndihen shumë mirë për të ardhmen e tyre dhe ka të bëj jo vetëm me të folurit se çfarë është por po ashtu me të ofruarin e mundësisë për ti rregulluar gjërat. Doktor Berisha ka në plan ti bëj të dyja.
Fevziu: Megjithatë kemi 2 probleme këtu. Numri i njerëzve të cilët janë kundër Ramës janë më shumë se 50% të votuesve, diku te 52-53% sipas zgjedhjeve të fundit. Megjithatë, njerëzit që votojnë për opozitën e sidomos për Partinë Demokratike është gjysma e këtyre njerëzve. Pse ekziston ky hendek midis atyre nuk e kanë qejf Ramën dhe atyre që votojnë opozitën?
LaCivita: Sistemi me partitë dhe sistemi në vetvete është një prej truqeve të zgjedhjeve parlamentare. I bën gjërat pak të vështira. Megjithatë unë mendoj se duke i motivuar njerëzit të votojnë jo vetëm për të ndryshuar por po ashtu për një ardhme më të mirë, është një arsye shumë e mirë motivuese dhe do e sjellë Partinë Demokratike, aty ku duhet të jetë, te fitorja.
Fevziu: Ka shumë njerëz që mendojnë se Rama punon shumë keq, etj, por nga ana tjetër Berisha është 81 vjeç, 20 vite më i madh se Rama, e ka mbyllur ciklin e tij 1991 në 2013. Pse të votosh për dikë që është 80 vjeç në krahasim me dikë që është 61 vjeç?
LaCivita: Doktor Berisha ka më shumë energji dhe gjallëri se Edi Rama që rri ulur dhe shikon ekranin e kompjuterit dhe flet para kompjuterit të tij gjatë gjithë ditës. Ndërkohë që doktor Berisha është vazhdimisht rrugës duke u takuar me qytetar dhe duke u angazhuar me to. Sinqerisht, gjithë ajo eksperiencë që ai mbart ndryshon gjithçka. Po ashtu mendoj se zgjedhjet kanë të bëjnë me atë që ka politikat më të mira për të ardhmen. Qartazi, këto janë të doktor Berishës./Opinion.al
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128