Mustafa Nano u bëri thirrje protestuesve për qëndresë, Rama e sulmon dhe i kujton bisedën në zyrën e tij për emërimin si ambasador: Je spiun i sigurimit?

7 Qershor 2026, 19:43 / POLITIKË ALFA PRESS

Mustafa Nano u bëri thirrje protestuesve për qëndresë, Rama

Një debat në distancë është zhvilluar këtë të diel mes kryeministrit Edi Rama dhe analistit Mustafa Nano, në lidhje me protestën që po mbahet në Tiranë kundër projektit 4 miliardë euro të Zvërnecit.

Fillimisht, ishte analisti ai që, përmes një postimi në Facebook, u bëri thirrje protestuesve që të vazhdojnë siç e kanë nisur dhe të largojnë “farën e keqe të berishianëve”.

Protestues, vijoni siç e keni nisur, veç largoni nga vetja islamikët pro-Hamas dhe farën e keqe të berishianëve”, shkruante Nano në Facebook.

Por ky postim i Nanos duket se nuk i ka pëlqyer kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë festës së 35-vjetorit të Partisë Socialiste në Elbasan e sulmoi ashpër analistin. Rama kujtoi bisedën për emërimin e Nanos si ambasador të vendit tonë në Zvicër, detyrë që, sipas kryeministrit, ai nuk arriti ta përmbushte.

Por kreu i qeverisë nuk u ndal me kaq, teksa tha se analisti nuk mund t’i bëjë “moral” dhe nuk nguroi ta quante edhe spiun.

Rama: Na tregojnë neve tradhtarët, gazetarë dhe analistë që paguhen me lekë në dorë. Nuk deklarojnë pagat e tyre dhe i bëjnë pushimet në botë. T’i bëjnë ku të duan, por moral mua dhe Partisë Socialiste nuk mund të na bëjnë.

Moral nga Mustafa Nano, i cili erdhi në zyrën time, u shtri në kolltuk dhe tha: ‘Nuk kam më fuqi të merrem me këtë vend, dua të shkoj ambasador’. Mirë, i thashë, të shohim si mund ta bëjmë këtë. Kemi pasur shkrimtarë e poetë ambasadorë, por Muçi nuk është Faik Konica.

Muçi i shkretë shkoi në Zvicër dhe nuk mbajti dot një zyrë ku ishte vetëm me veten e vet dhe me një sekretare. Nuk bëri një punë për vendin e vet dhe e la në mes detyrën. Kthehet mbrapsht dhe më thotë mua si duhet ta bëj detyrën.

Muçi tregon oligarkët që nga mëngjesi deri në darkë në zyrën time. Por ti, mor Muç, spiun i Sigurimit je? Ku e di ti se kush hyn në zyrën time?

Po ndodh...