Pallate të tjera në ndërtim në Laç, Rama inspekton vendin në kuadër të rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit

11 Qershor 2024, 14:51 / POLITIKË ALFA PRESS

Pallate të tjera në ndërtim në Laç, Rama inspekton

Pas apartamenteve të ndërtuara në Laç si dhuratë e qeverisë turke, në një tjetër pjesë të këtij qyteti janë duke përfunduar edhe disa pallate të tjera.

Aktualisht janë në ndërtim e sipër apartamente të 3 tipologjive, (1+1; 2+1 dhe 3+1), të shpërndara në 10 pallate, pjesë e zonës së re për zhvillim, ku brenda këtij viti do të akomodohen 375 familje.

Krahas ndërtimit nga themelet të apartamenteve të reja me kushte optimale, po bëhet edhe ndërtimi i rrjetit rrugor dhe infrastrukturës urbane të zonës përreth, duke zgjeruar hapësirat publike, dhe duke krijuar komoditet në lëvizjen e mjeteve, me akses të përmirësuar për lëvizjen e këmbësorëve dhe korsi të dedikuar të lëvizjes me biçikleta.

Ecurinë e punimeve e pa në terren kryeministri Edi Rama, i cili shoqërohej nga kryetarja e Bashkisë së Laçit, Majlinda Cara dhe Ulsi Manja.

“Tashmë po shkojmë drejt përfundimit të 60 apartamenteve për të bërë gati fillimin e korrikut hedhjen e shorteut për 60 familje e para dhe po ecim vazhdimisht dhe me hyrje të tjera për të bërë të mundur që brenda këtij viti të dorëzojmë edhe gjithë këtë lagje. Në këtë lagje të re për zhvillim janë 170 apartamente, ka 6000 m2 infrastrukturë nëntokësore, parkime dhe të gjitha katet e para të gjithë subjekteve janë me njësi shërbimi, që do të jenë pastaj dhe një promotor ekonomik. Ka dy tre parqe midis grupeve të pallateve. Të gjitha janë me parkim nëntokësor, janë rreth 50 biznese në gjithë këtë bllokun e pallateve këtu”, tha kryetarja e bashkisë.

“Krahas kësaj zone ne kemi dhe 9 pallate që po ndërtohen në të njëjtën truall. Kemi përkatësisht dy në Mamurras që janë drejt përfundimit, i japim çelësat në fillim të muajit korrik. Brenda këtij viti, ne akomodojmë 375 familje bashkë me njësinë administrative Mamurras dhe mbyllim apartamentet”, vijoi më tej ajo, teksa shtoi se projekti parashikon ndër të tjera edhe ngritjen e një qendre të re shëndetësore për qytetarët.