Pas ‘Valles së Tropojës’, plas brenda PD: Grupi i Bardhit kundërshton sulmin e Berishës ndaj gjyqtares së Kushtetueses

9 Janar 2025, 20:35 / POLITIKË ALFA PRESS

Pas ‘Valles së Tropojës’, plas brenda PD: Grupi i Bardhit
Viti 2025, nuk ka nisur mbarë për partinë e Sali Berishës. Pas videos së “Vallës së Tropojës” që u bë virale, duket se kanë shpërthyer “ethet” e primareve, të cilat Berisha duket i detyruar t’i çojë përpara për të ruajtur kohezionin e grupit me të cilin nisi “Foltoren”.

Për disa deputetë të afruar së fundmi me Berishën, primaret rrezikojnë të jenë një kurth, pasi duke mos pasur një bazë të fortë mbështetësish, mund të përjashtohen nga militantët që Berisha ka ushqyer me pakënaqësi ndaj tyre. Ky tension është parë muajt e fundit në deklaratat e Gazment Bardhit, i cili primaret i ka quajtur “të dëmshme dhe përçarëse”, në daljet televizive.

Më i fundit rast është sulmi ndaj gjyqtares së Kushtetueses, Marsida Xhaferllari, përmes Adriana Kalas, i cili ka nxitur reagimin e Marash Logut, këshilltar ligjor i Grupit Parlamentar të PD-së (nën drejtimin e Bardhit). Logu e quajti këtë sulm “të padrejtë”, duke kujtuar se PD duhet të vlerësojë kontributin e gjyqtarëve që i kanë rezistuar presionit të qeverisë.

Në një reagim në rrejtet e tij sociale shkruan:

Keqardhja në këtë rast nuk ka të bëjë vetëm me sulmet në vetvete, por burimi nga ato vijnë. Ndërkohë që sulmet nga mazhoranca socialiste dhe satelitët e tyre mediatikë janë të pritshme e të kuptueshme, Partia Demokratike ka për detyrë të vlerësojë qëndrimet e gjyqtarëve kushtetues që i kanë qëndruar me besnikëri Kushtetutës dhe ligjit, duke i rezistuar presioneve të pushtetit ekzekutiv. Mund të kemi shumë kritika për punën e Gjykatës Kushtetuese dhe personalisht kam pasur jo pak, por nëse ka një gjyqtare që i bën nder asaj trupe është Marsida Xhaferllari”, thotë ndër të tjera Logu.

Qëndrimi i Logut, i mbështetur në rrjetet sociale nga Gazment Bardhi dhe Jorida Tabaku, pasqyron një tension të brendshëm në grupin e Berishës.

Megjithatë, sado i drejtë të duket ky reagim, vjen pas një periudhe gjatë së cilës vetë Bardhi dhe të tjerët kanë pranuar sulmet e Berishës ndaj prokurorëve e gjyqtarëve, duke ngritur dyshime se kjo është më shumë një shenjë pakënaqësie e tyre me pozicionet brenda PD-së, sesa solidaritet i sinqertë me gjyqtaren Xhaferllari.

Fakt është se, pasi kanë përkrahur sulmet e Berishës kundër kujtdo që ai e shihte si kërcënim për interesat e veta, nuk duket aq e besueshme që tani, papritur, të kenë ndërgjegjësim të ri mbi mënyrën si Berisha përdor Adriana Kalanë./Alfapress.al

 

ide

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128