Plarent Ndreca e thotë troç: Komisionet ja dhamë Rithemelimit, sa për të shuar tallavanë në Kuvend!

24 Prill 2024, 21:58 / POLITIKË ALFA PRESS

Plarent Ndreca e thotë troç: Komisionet ja dhamë Rithemelimit,
Deputeti i Partisë Socialiste, njëherazi nënkryetari i komisionit hetimor parlamentar për sterilizimin dhe check-up-in, ka zhvilluar një intervistë jo pak të sikletshme, teksa është pyetur në emisionin “Breaking” të gazetares Dafina Hysa për përplasjet por edhe akuzat që opozita bën ndaj tij.

Ndreca ka thënë në “Top News” se ndryshimet e bëra në ligjin për komisionet hetimore, sipas tij, u bënë për të shmangur “tallavanë” e opozitës me këto komisione. Në intervistën ku nuk munguan debatet dhe ironitë, Ndreca tha se nuk ka konflikt interesi në komisionin hetimor për shëndetësinë, ndonëse pranoi se nuk e ka firmosur deklaratën për këtë.

Kur gazetarja e konfrontoi duke i thënë se ka mbrojtur ish-zvministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, i cili sot gjendet pas hekurave i akuzuar nga SPAK, Ndreca tha se “nuk është e vërtetë” ndonëse shtoi se Rrjepaj prezumohet i pafajshëm.

Pjesë nga intervista:

Plarent Ndreca: Komisionet hetimore ishin kthyer më shumë në një shoë politik dhe jo në një komision serioz hetimor parlamentar

Dafina Hysa: Në raport me personat që mund të thirreshin në këto komisione, por ndryshimet përshembull, a nuk ndryshojnë mundësitë e opozitës në këto komisione hetimore?

Ndreca: Komisionet hetimore nuk janë të opozitës

Gazetarja: Por zakonisht i kërkon opozita për të kërkuar, ju nuk kërkoni komisione hetimore.

Ndreca: Se ti ke të drejtën të kërkosh nuk do të thotë të marrësh vendime...se populli shqiptar nuk ka votuar kërkuesit.

Gazetarja: Shkojmë te kufizimet, ju si shumicë mund të vendosni që të mbahet me dyer të mbyllura, kur çështja mund të jetë me shumë interes publik.

Ndreca: Por si mendoni ju, ta bazojmë në opinionet tuaja? Ne prandaj jemi votuar. Fakti që e kërkon opozita nuk do të thotë që ky komision të jetë i opozitës

Gazetarja: A e vini ju në pamundësi opozitën për të arritur synimet e saj përmes komisionit hetimor?

Ndreca: Jo, ne nuk lejojmë çdo veprim që bie ndesh me kushtetutën dhe ligjin. Nuk bllokojmë se po të ishte kështu, nuk kishim arsye edhe të merrnim gjithë këto veprime që kemi ndërmarrë deri tani në komisionet përkatëse. Hetimi duhet të jetë bazuar në parime kushtetuese dhe jo të kthehet në tallava politike.

Gazetarja: Nëse ka qenë një tallava politike, si shpjegohet që e keni lënë për aq kohë komisionin e vjetër, dhe rrjedhimisht keni prodhuar tallava?

Ndreca: Nuk kemi prodhuar tallava politike, maxhoranca është seroze, fakti që nuk ka pasur parashikime shumë të qarta në ligjin e vjetër nuk do të thotë që nuk ekzistonte mundësia. Pjesa tjetër e opozitës nuk e ka qëllimin hetimin real të objekteve hetimore, por ka pasur gjithmonë për objekt bërjen e shou politik.

Ndreca: Mesa shoh nuk e keni ndjekur me kujdes, dhe mirë është të mos më ndërprisni nëse më keni ftuar për të folur. Në çdo fjalim të anëtarëve të opozitës thuhet “afera”, “afera” nëse është aferë, për çfarë duhet komisioni hetimor?

Gazetarja: Dy komisione ju e dini shumë mirë që janë në SPAK, dhe për njërën prej tyre ka akuza zyrtare, i lind e drejta opozitës ta përdorë fjalën “aferë”.

Ndreca: Jo fare

Gazetarja: Ju vini në dyshim punë e SPAK? Keni mbrojtur edhe një zëvendësministër...

Ndreca: Jo nuk është e vërtetë fare nuk kam mbrojtur asnjë zëvendës ministër unë. Vetëm kur gjykata të vendosë mund t’u jepet e drejta ju si gazetarë dhe opozitës që ta quajë “aferë”. Opozita e bën me qëllimin e vetëm që edhe ju gazetarët të bini pre e këtij perceptimi të pasaktë.

Gazetarja: Jeni akuzuar për konflikt interesi, nëse nuk jeni, pse keni refuzuar të nënshkruani deklaratën që në momentin e parë

Ndreca: Kush e tha këtë. Ju?

Gazetarja: Ju kemi ndjekur në komision

Ndreca: Jo vetëm ju nuk më keni ndjekur, mund të kesh ndjekur gjëra të tjera por komisionin jo.

Gazetarja: E keni nënshkruar këtë deklaratë?

Ndreca: Jo. Ku e dorëzuan këtë deklaratë këta? Se unë di që nuk e kanë dorëzuar. Unë nuk kam asnjë konflikt interesi privat.

 

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128