Policia në zgjedhje/ Ministri Hoxha thërret shefat e Komisariateve pa praninë e Prodës, kryepolici reagon ashpër!

9 Shkurt 2025, 20:50 / POLITIKË ALFA PRESS
Policia në zgjedhje/ Ministri Hoxha thërret shefat e Komisariateve pa

TIRANË- Në Shqipëri ka disa rregulla të pashkruara të pushtetit, dhe një prej tyre është kjo: kur një ministër i Brendshëm fillon të injorojë zinxhirin komandues të Policisë, dikush do të fluturojë nga posti shumë shpejt. Kësaj radhe, spektakli i radhës u zhvillua në Ministrinë e Brendshme, ku Ervin Hoxha thirri në zyrën e tij shefat e komisariateve, duke anashkaluar fare Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Një takim i pazakontë, që zgjati vetëm 7 minuta, por la pas një jehonë të gjatë. Arsyeja e takimit lidhej me mbarëvajtjen e situatës parazgjedhore.

Mesazhi i Hoxhës ishte i qartë: nuk kisha besim që porosia do të shkonte deri në fund. Në përkthim politik: nuk kam kohë për burokraci, dua bindje të drejtpërdrejtë.

Por pastaj erdhi reagimi i Ilir Prodës, drejtorit të Policisë së Shtetit, i cili u përball me këtë shkelje protokolli me një qartësi të habitshme për një njeri në pozicionin e tij:

“Kjo që po bëni sot nuk ka ndodhur kurrë. Që shefat e komisariateve të hyjnë në ministri. Nëse kishit porosi, mund të vinit ju në Drejtorinë e Përgjitshme. Kjo hyrje do të lexohet keq dhe është orientim politik për fushatën elektorale.”

Një deklaratë e guximshme, pothuajse një akt sfidues në një sistem ku shumë drejtues preferojnë të ulin kokën dhe të presin radhën e tyre për të avancuar.

Në këtë përplasje të hapur, pyetja nuk është më kush ka të drejtë – por kush do të zgjasë më shumë në detyrë.

Nga njëra anë kemi ministrin Ervin Hoxha, i cili duket se nuk ka as durimin dhe as besimin për të ndjekur rrugën e zakonshme të zinxhirit komandues. Ai ka vendosur të thyejë protokollet dhe t’i thërrasë shefat e komisariateve në Ministri, sepse – siç e pranoi vetë – nuk ka besim që urdhrat e tij zbatohen. Një mesazh i qartë se ai kërkon një polici që i përgjigjet vetëm atij.

Nga ana tjetër, Ilir Proda shfaqet si një drejtues që nuk ka ndërmend të bëhet “asistent ekzekutiv” i Ministrit të Brendshëm. Me deklaratën e tij të drejtpërdrejtë përpara kolegëve, ai e bëri të qartë se nuk ka ndërmend të kthejë Policinë e Shtetit në një celulë partie në prag zgjedhjesh.

Por ky nuk është një debat akademik mbi etikën e pushtetit – është një përplasje force. Dhe si gjithmonë, në Shqipëri, kur ministri dhe drejtori i policisë nuk flasin të njëjtën gjuhë, njëri prej tyre përfundon duke mbledhur zyrën përpara kohe.

Kush do të largohet i pari? Hoxha ka mbështetjen e politikës, por Proda ka një kartë tjetër në dorë – ai mund të pozicionohet si “drejtuesi i pavarur” që po i reziston presionit politik. Dhe nëse fushata përshkallëzohet, ai mund të bëhet një shqetësim për ata që e emëruan. Në këtë skenar, largimi i tij mund të shitet si një “riformatim i nevojshëm” për rritjen e performancës në polici – një histori e vjetër sa vetë sistemi.

Në fund, loja është e qartë: ai që përpiqet të ruajë pavarësinë, zakonisht nuk mbijeton gjatë. Nëse nuk ndodh një përmbysje e papritur, shanset janë që Proda të jetë ai që do të mbledhë dosjet i pari. Sa për Hoxhën? Ai do të vazhdojë të komandojë – të paktën derisa t’i vijë radha. /Dosja.al

Po ndodh...