Praktikisht e gjithë klasa politike është dorëhequr!

9 Qershor 2026, 18:18 / POLITIKË NGA ALFAPRESS
Praktikisht e gjithë klasa politike është dorëhequr!

Nga Gjergji Nika

Praktikisht, në raport me qytetarët e gjithë klasa politike shqiptare ka dhënë dorëheqjen. 

Deputetët, kryeministri dhe kryetari i opozitës mund të vazhdojnë të mbajnë mandatet, zyrat dhe privilegjet e tyre, por kanë hequr dorë nga detyra më e rëndësishme e politikës: komunikimi me njerëzit.

Kjo po shihet qartë në protestat që kanë mbushur sheshet dhe bulevardet. Një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve ka dalë në rrugë për të shprehur pakënaqësinë, por përballë tyre nuk ka as dialog, as dëgjim, as përpjekje për t’i kuptuar.

Nuk e kam fjalën për komunikimet e kryetarit të opozitës me kryesinë, forumet apo deputetët e partisë së tij. As për kryeministrin që zhvillon monologje të gjata para militantëve, ndërton narrativa në rrjetet sociale dhe merret me influencerë apo sulmon e intimidon analistët. Këto janë komunikime brenda një rrethi të mbyllur, jo komunikim me qytetarin.

Politika sot duket se flet vetëm me veten dhe përçartet. “Opozita” flet me “opozitën”. Qeveria flet me qeverinë. Ndërsa qytetari që proteston mbetet pa përgjigje. Asnjëri prej tyre nuk përballet me pakënaqësinë që ka dalë shesheve të qyteteve dhe në bulevardet e kryeqytetit!

Në demokraci, protesta nuk është një zhurmë që duhet injoruar. Ajo është një mesazh politik. 

Kur mijëra njerëz dalin në rrugë, detyra e parë e një qeverie dhe e një opozite serioze është t’i dëgjojnë, jo të bëjnë sikur nuk ekzistojnë e as t’u bashkohen si “kofini pas të vjelit”!

Heshtja përballë protestës është forma më e qartë e shkëputjes nga realiteti, por edhe e megalomanisë që sjell mediokriteti, për të mos thënë urrejtja që kanë për shqiptarët.

Problemi nuk është vetëm se qytetarët nuk ndihen të përfaqësuar. Problemi i vërtetë për politikanët është se ata kanë filluar të kuptojnë se përfaqësuesit e tyre nuk po përpiqen më as të shtiren sikur i përfaqësojnë.

Një politikë që nuk flet me qytetarin dhe nuk pranon të përballet me pakënaqësinë e tij, ajo mund të vazhdojë të qeverisë ose të bëjë opozitë, por moralisht është e dorëhequr.

Po ndodh...

ide