Ervin Salianji: Berisha ka kontributet e tij, por tani është pengesë për rotacionin 

20 Prill 2026, 22:14 / POLITIKË ALFA PRESS
Ervin Salianji: Berisha ka kontributet e tij, por tani është

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i ftuar në emisionin “Studio24”, ka komentuar zhvillimet në opozitë dhe protestën e fundit të organizuar nga PD, duke thënë se ajo nuk solli asgjë të re në përmbajtje dhe ndikim politik.

“Nga ana e përmbajtjes nuk solli asgjë të re kjo protestë. Si reagim ndaj korrupsionit, kriminalizimit etj., skandaleve të ish-zv/kryeministres, AKSHI-t etj., është e domosdoshme. Pritshmëritë e ngritura nga lidershipi, nga zoti Berisha si kryetar janë të tilla që i ulin vlerën”, u shpreh Salianji.

Ai kritikoi edhe gjuhën politike të përdorur para dhe pas protestës, duke thënë se dëmton besueshmërinë e opozitës.

“Qoftë pritshmëritë nga gjuha para protestës kur thonë se është kilometri i fundit etj., po ashtu edhe gjuha pas protestës, është një gjuhë politike që dëmton në besueshmëri opozitën. Nuk mund të thuhet pas asaj proteste se ‘regjimi u tmerrua’ etj. Duhet të gjejmë një mënyrë tjetër komunikimi dhe ndaj kam dalë në këtë lëvizje duke kërkuar ndryshim edhe në gjuhën politike”, tha ai.

Salianji shtoi se kryetari aktual i PD-së, Sali Berisha, sipas tij, është bërë pengesë për ndryshimin dhe rotacionin politik.

“Berisha ka kontributet e veta, por tani është i pamjaftueshëm, madje pengesë për të sjellë rotacionin. Këto protesta tani janë rezistencë për të mos ndryshuar PD”, deklaroi ai.

Po ndodh...

ide