Pse refuzohet vetingu për politikanët? Basha nga Dibra: Ata që “luftonin” korrupsionin me fjalë janë te 7x7=313 dhe bashkuan votat për të liruar të korruptuarit

28 Mars 2025, 14:39 / POLITIKË ALFA PRESS

Pse refuzohet vetingu për politikanët? Basha nga Dibra: Ata që

Drejtuesi Politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, ishte sot në Dibër për të prezantuar kandidatët e këtij qarku para strukturave, që do të garojë me emra të nderuar të këtij komuniteti në listën e hapur si Edmond Isaku, Mirjan Kaloshi, Albert Kojku, Sabiana Pasha dhe Sokol Ruka.

Basha në fjalën e tij para të pranishmëve foli edhe për keqqeverisjen e viteve të fundit që ka shpopulluar këtë zonë. Ai tha se shkaktarë janë Edi Rama dhe shokët e tij që i ngarkoi me përgjegjësi dhe sot janë në burg dhe shkaku se pse refreni i kësaj fushate është 7x7=313.

Kemi qenë dhe jemi 100% në mbështetje të luftës kundër korrupsionit. Lufta kundër korrupsionit nuk bëhet me fjalë, por me vepra. Ata që bërtasin më shumë për luftën kundër korrupsionit, një pjesë prej tyre nuk i dëgjojmë më, sepse në të vërtetë janë 7x7=313. Ndërsa një pjesë tjetër, që betohen për luftën kundër korrupsionit, bashkuan votat për të liruar 111 zyrtarë të korruptuar.

Korrupsioni është vjedhja e pasurive të shqiptarëve dhe pasurimi i miqve të pushtetarëve. Lufta kundër tij meriton mbështetje me vepra, dhe ne e kemi bërë. Kemi depozituar ligjin për vetingun e politikanëve. Të gjithë pushtetarët duhet t’i nënshtrohen kontrollit të pasurive të tyre dhe familjarëve të tyre. Pse kjo masë u konsiderua në përputhje me Kushtetutën për gjyqtarët, ndërkohë që nuk e pranojnë për politikanët?

Koalicioni Euroatlantikë përfaqësohet nga një grup njerëzish dinjitoz, qytetarë, përfaqësus që nderojnë komunitetin të cilit i përkasin, e të cilit do t’i shërbejnë. Njerëz të vendosur në luftë kundër korrupsionit, si e keqja më e madhe e kësaj shoqërie. Nuk është rastësi edhe reagimi, përgjigjja e rinisë, sot sapo zbrita në Dibër. Nuk është rastësi, nuk është batutë për batutë, nuk është humor, është e vërtetë 7x7, 313-të. Është e vërtetë që shokët e Edi Ramës, ata që ai i ngarkoi me përgjegjësi, janë të gjithë në burg. Pse? Sepse ata shpërdoruan detyrën, ata vodhën taksat, së bashku me Edi Ramën krijuan për shqiptarët makthin e dështimeve dhe të korruspionit më të madh që nga themelimi i shtetit shqiptar. Kjo është e vërteta edhe pas reagimit qytetar ndaj asaj që padiskutim që po kthehet në një refren i kësaj fushate. Dhe është refreni i kësaj fushate. Njerëzit na kanë dëgjuar të shpjegojmë në detaje në nivelin më të lart gjeostrategjik, intelektual , profesional të programit tonë. Dhe prap do ta bëjmë, padiskutim. Por shumë njerëz reagojnë ndaj këtyre fjalëve të thjeshta sepse janë e vërteta. Janë e vërteta e plotë dhe e dhimbshme e një Shqipërie të zhytur në dështim, emigracion, për shkak të korrupsionit të Edi Ramës” – u shpreh ai.

Basha më tej tha se qytetarët duhet ta votojnë Koalicionin Euroatlantik pasi është i vetmi që mbështet SPAK me vepra jo me fjalë në luftën kundër korrupsionit dhe ka një program që e ka shpalosur prej muajsh.

Duke u ndalur tek ky i fundit, ai foli konkretisht për fermerët të cilët nuk konkurrojnë dot as fermerin shqiptar në Kosovë apo në Maqedoninë e Veriut.

Sipas tij, duke prekur realitetin ku kanë çuar bujqësinë, blektorinë, bletarinë, agrobiznesin, programi parashikon 100 milionë euro subvencione për fermerët bazuar në prodhim.

50 milionë euro në infrastrukturën që i nevojitet 50 milionë euro në vit infrastrukturë, nga rrugët e aksesit në ara e sera, tek energjia elektrike, tek magazinimi, frigoriferimi dhe agropërpunimi.

“Lufta kundër korrupsionit, mbështetja ndaj SPAK, i vetmi formacion politik me një program që e ka shpalosur më 1 qershor. U munduan ta zhdukin, ta censurojnë, ta përqeshin, tani ta kopjojnë. Programi ynë është i plotë dhe duhet parë në tërrësinë e tij. Nuk është një buqetë premtimesh që çfarë i pëlqen njërit, e çfarë i pëlqen tjetrit. Është një program që ka rrjedhur nga njohja dhe prekja e realitetit, si askush tjetër. Shoh sipërmarrës të nderuar, të fushës së agrobiznesit me të cilët kemi diskutuar edhe në pikat e zhvillimit, edhe në pikat e rënies së industrisë së agropërpunimit. Shoh fermerë. Dhe ne e dimë fare mirë se cilat janë problemet e fermerit dibran, se cilat janë problemet e fermerit shqiptar. Ne e dimë se pak kilometra më tutje shtrihet Republika e Maqedonisë së Veriut, e pak më tej Republika e Kosovës dhe ne e dimë se fermeri kosovarë, fermeri shqiptar i Maqedonisë së Veriut, vëlla me gjakë e me kulturë e me të gjitha me fermerin e Dibrës apo të Kukësit, apo të Myzeqesë, ka një tjetër situatë. Pse? Sepse qeveri si Maqedonia e Veriut apo e Kosovës, e kanë kuptuar një të vërtetë që BE e ka kuptuar prej kohësh. Nuk ka bujqësi pa subvencione, nuk ka bujqësi pa infrastrukturë ndihmuese, nuk ka bujqësi pa akses të sigurt në treg. Këto janë tre themele të një sektori të zhvillimit rural, të bujqësisë, blektorisë, agropërpunimit, peshkimit, bletarisë, tre themele pa të cilat ti shkatërron gjithçka, nga të cilat sot varen 35% e shqiptarëve. Varen familjet e tyre, rinia e tyre.

Si ka mundësi vëllezër të një gjaku, ata e mbajnë kokën lartë, fermeri ynë e mban kokën poshtë nga hallet, nga dertet. Mbaron një cikël prodhimi, fillon një cikël tjetër ankthi për të marrë prap hua, sepse edhe kur prodhimi bëhet nuk shitet. E pra programi ynë i jep zgjidhje tërrësore, të integruara edhe me pjesët e tjera të shoqërisë e grupet e tjera të interesit. E para, 100 milionë euro subvencione për fermerin shqiptar, bazuar mbi prodhimin. Sigurisht mbi prioritetet që Shqipëria ka e duhet t’i jap degëve të veçanta të prodhimit. 50 milionë euro në vit infrastrukturë, nga rrugët e aksesit në ara e sera, tek energjia elektrike, tek magazinimi, frigoriferimi dhe agropërpunimi. Se jemi i vetmi vend në 2025-ën që nuk i ndihmon as me magazinim, as me frigoriferim as me agropërpunim. Në Kosovë prodhohet gjithçka. Nga çipset nga patatet e Kosovës, tek marmalata. Nuk shkon asnjë moll dëm, asnjë patate dëm. Ndërsa këtu vazhdohet me primitivizëm të shkatërrohet djersa e femrerit shqiptar, për të avantazhuar një grusht importuesish që dhe fasulen duan të na e sjellin nga Egjipti.
Ndaj, ne jemi të vetmit me një program të vërtetë, realist, që njeh problemet e shqiptarëve dhe u jep zgjidhje realiste këtyre problemeve. Me një ekip me integritet, me qëndrimin tonë pa asnjë mëdyshje në mbështetje të SPAK dhe luftës kundër korrupsionit dhe me një program i cili është integral dhe u jep zgjidhje të gjithve, ne nisemi drejt 11 majit me një synim të qartë: Shqipëria pas 11 majit do të qeveriset me programin dhe vlerat e Koalicionit Euroatlantik” – tha Basha.

Po ndodh...