Rama për “Bloomberg”: Nuk fshihet vetëm Irani pas protestave në Shqipëri

Qeveria e Shqipërisë nuk do të tërheqë mbështetjen e saj për dy projekte turistike luksoze të mbështetura nga firma e investimeve e Jared Kushner, pavarësisht javëve të protestave të përditshme, tha kryeministri Edi Rama për agjencinë e njohur “Bloomberg”.
Në disa komente të dhëna me shkrim, Rama theksoi se qeveria e tij duhet të bëjë dallimin midis “protestave të vërteta” dhe “teatrit politik”, siç i përshkroi ai protestat kundër këtyre projekteve.
Sipas tij, qytetarët i dhanë një mandat të fortë në zgjedhjet e vitit të kaluar për të çuar përpara vizionin e tij për ta shndërruar Shqipërinë në një destinacion turistik premium dhe “jo për të qeverisur sipas hashtagëve apo sipas jehonës më të zhurmshme”.
“Bloomberg” shkruan se projektet e mbështetura nga kompania Affinity Partners e Jared Kushner kanë shkaktuar reagime të forta në vend, sidomos për zhvillimin e zonave bregdetare dhe procesin e miratimit të investimeve private.
Megjithatë sipas Ramës, “as një pakicë e zhurmshme, as opozita dhe as valë zemërimi e amplifikuar në rrjetet sociale nuk do të pengojnë realizimin e vizionit “Shqipëria 2030”, duke shtuar se edhe ndikime të jashtme nuk do të ndryshojnë kursin e qeverisë.
Rama ka akuzuar më parë se protestat po nxiten nga një “ekosistem reagimesh të fryra artificialisht në internet”, ndërsa ka paralajmëruar se koha do të tregojë të gjithë faktorët e përfshirë në këtë debat.
Në emailin e tij për Bloomberg, ai tha se koha do të tregojë se “Irani nuk është i vetmi aktor i përfshirë”.
“Bloomberg” kujton se Shqipëria strehon rreth 3 mijë anëtarë të organizatës opozitare iraniane në mërgim, Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit. Vitin e kaluar, hakerë iranianë sulmuan shërbimet bashkiake në Shqipëri.
“Standardi ynë është i qartë: ligji, shkenca, transparenca dhe detyrimet europiane- jo histeria”, tha Rama. “Ne po e hapim vendin, po mbrojmë pasuritë e tij natyrore, po tërheqim investime serioze dhe po ecim me vendosmëri drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.”
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128