Rinumërohen 160 kuti në Tiranë/ PS dhe PD humbin vota, tek vota preferenciale bie në sy rasti i Fatmir Xhafajt

19 Qershor 2025, 17:09 / POLITIKË ALFA PRESS

Rinumërohen 160 kuti në Tiranë/ PS dhe PD humbin vota, tek vota

Procesi i rinumërimit të votave për zgjedhjet e 11 majit po vijon dhe deri më tani janë hapur 160 kuti votimi në Tiranë.

Rezultatet paraprake nga ky proces tregojnë luhatje të lehta deri më tani.

Sipas të dhënave zyrtare, Partia Socialiste ka humbur 62 vota në krahasim me numërimin fillestar, ndërsa Partia Demokratike ka humbur 59 vota.

Megjithëse këto shifra nuk ndryshojnë në mënyrë drastike balancën e rezultatit, ato tregojnë se ka pasur një numër pasaktësish në numërimin e parë.

Rinumërimi ka sjellë lëvizje edhe në listat e hapura të kandidatëve për deputetë. Te demokratët, ku gara është mes Ilir Alimehmetit dhe Jorida Tabakut për një mandat, të dy kanë përfituar më shumë vota. Alimehmeti ka fituar 4 vota më shumë, ndërsa Tabaku 11 vota shtesë.

Ndërkohë, në kampin socialist gara më e ngushtë është mes Blerina Gjylametit dhe Olta Xhaçkës, të ndara nga vetëm 128 vota. Pas rinumërimit, Gjylametit i janë shtuar 2 vota, ndërsa Xhaçkës i është zbritur 1.

Rast interesant është ai i Fatmir Xhafajt, të cilit rezulton t’i jenë numëruar më parë 32 vota më shumë nga sa kishte realisht.

Procesi pritet të vijojë për më shumë se një javë, me fokusin veçanërisht te Tirana, ku çdo votë mund të ndikojë në ndarjen përfundimtare të mandateve.

 

Po ndodh...