Sali Berisha flet për dhunën, kulmi i ironisë!

7 Qershor 2023, 18:27 / POLITIKË ALFA PRESS

Sali Berisha flet për dhunën, kulmi i ironisë!

Para se të fillojmë artikullin duhet të themi se jemi kundër çdo lloj dhune, dhuna sjell dhunë.

Ditën e sotme kryetari i Rithemelimit Sali Berisha gjatë një mbledhje grupi u shpreh se banditë e Lulzim Bashës kanë ushtruar dhunë ndaj gazetarëve dhe deputetëve.

'' Ata që mendojnë se do mbyllin problemet duke fyer dhe kërcënuar gazetarët, janë gangsterë, janë rrugeçërish, nuk kanë asgjë të përbashkët me individë të civilizuar. Po kështu dënoj fyerjet dhe kërcënimet që u janë bërë deputetëve të Kuvendit, akte këto të nj politike dhune, të turpshme që ka në origjinë skenarët e Edi Ramës,” tha Berisha.

Po që mos të themi se i 'zoti i dhunës' flet për dhunën pa fakte le t'i hedhim një sy ndër vite marrëdhënies që Berisha ka pasur me dhunimin.

Zgjedhjet e 26 Majit 1996 dhe përgjakja e opozitës së kohës

26 Maji 1996 simbolizon vjedhjen e zgjedhjeve me dhunë, tentativën për eliminimin fizik të kundërshtarit, rrëmbimin, përndjekjen dhe dhunimin e përfaqësuesve të kundërshtarit politik, simbolizon pritat, rrëmbimin dhe mbushjen e kutive të votimit, kundërvënien ndaj SHBA etj.

Të gjitha këto në funksion të riciklimit në pushtet të Sali Berishës.

Në 28 majit 1996, krerët e opozitës si Servet Pëllumbi, Gaqo Apostoli, Neritan Ceka, Paskal Milo, Ndre Legisi, Namik Dokle, Pandeli Majko, Blendi Gonxhe, Kastriot Islami etj., u dhunuan barbarisht nga policia dhe SHIK-u në Sheshin Skënderbeu, ku kishin dalë për të protestuar.

Janë dhunuar gjithashtu Arta Dade, Ermelinda Meksi dhe Skënder Gjinushi.

Janë dhunuar në mënyrë çnjerëzore Edi Rama, Erion Braçe, Preç Zogaj, Abren Imami, Perekli Teta, ndërsa gazetari Bardhok Lala është lënë për i vdekur tek Liqeni Artificial.

Zgjedhje e 26 Majit 1996 janë zgjedhjet e vetme në Shqipëri pas rrëzimit të regjimit komunist, të cilat nuk janë njohur nga ndërkombëtarët. Ishin pikërisht këto zgjedhje të tjetërsuara me dhunë nga Sali Berisha dhe pushteti i tij, të cilët agravuan krizën e firmave piramidale, duke shtuar zemërimin popullor dhe afrimin e shpërthimit të trazirave, të cilat do të kulmonin 10 muaj më pas, në mars të vitit 1997.

Grushti i shtetit në 1998

Plot 25 vite më parë, më 14 shtator të vitit 1998 turmat e militantëve të PD, të armatosur dhe të drejtuar nga Sali Berisha pushtuan Kryeministrinë duke përdorur si “dash” për të hapur derën arkivolin me trupin e pa jetë të Azem Hajdarit dhe e dogjën, pushtuan Radiotelevizionin Shqiptar dhe emetuan siglën e një TV private në të. Ata akuzonin ish-kryeministrin Fatos Nano si urdhërues të vrasjes së ish-deputeti Hajdari. Por këto trazira u shuan shpejt, ndërsa përgjegjësia ra mbi Sali Berishën.

Tragjedia e “Gërdecit”

Mesditën e 15 marsit 2008, në ambientet e ish-Brigadës së Tankeve, në fshatin Gërdec, Tiranë, ku ushtronte aktivitetin e çmilitarizmit dhe çmontimit të municioneve luftarake shoqëria “Albademil” sh.p.k, ndodhën një seri shpërthimesh masive që sollën pasoja të rënda. Si rezultat i kësaj ngjarjeje u shkaktua vdekja e 26 personave, plagosja e rëndë e 27 personave, plagosja e lehtë e 109 personave, dëmtime të parëndësishme në 67 persona, si dhe dëmtime të tjera të paklasifikuara të 61 personave që janë trajtuar në spitale e qendra shëndetësore. Nga kjo ngjarje u shkaktua dëm në pasuri shtetërore e private në vlerën 2.2 miliardë lekë, ndërkohë që përgjegjësia ra mbi qeverinë e kohës që drejtohej nga Sali Berisha.

Masakra e “21 janarit” dhe dhuna e 8 janarit 2022

Në 21 Janar 2011, mbetën të vrarë katër protestues të opozitës asokohe gjatë protestave para Kryeministrisë.

Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika janë ata që u vranë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, gjatë protestës së Partisë Socialiste, që ishte atë kohe në opozitë.

Edhe pse kanë kaluar 12 vite, kjo ngjarje nuk është zbardhur e plotë dhe familjarët e të ndjerëve vijojnë të kërkojnë drejtësi. Katër viktimat, janë shpallur “Dëshmorë të Atdheut”, por drejtësia për këtë ngjarje të rëndë nuk është vënë në vend, ndërkohë që Partia Socialiste dhe familjarët akuzojnë Gardën e Republikës dhe Sali Berishën si urdhërues të vrasjeve në bulevard.

Ndërkohë të njëjtën skenë dhunë Berisha e përdori edhe më 8 janar të vitit 2022, ku mbeshtetësit e tij dhunuan selinë e Partisë Demorkatike që drejtohej nga Lulzim Basha, duke e uzurpuar atë.

Dhe për ta mbyllur: Dhuna nuk është politikë dhe politika dhunë!/Alfapress.al

 

Po ndodh...

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128