Shabani: Kushtetuesja do të vendosë për hapjen e listave, të jenë qytetarët ata që do të zgjedhin…

19 Shtator 2024, 20:27 / POLITIKË ALFA PRESS
Shabani: Kushtetuesja do të vendosë për hapjen e listave,

Endri Shabani i “Nisma Thurje” në rubrikën “Opinion” në News24 tha se nga Gjykata Kushtetuese pret të bëjë atë që bëri edhe në 2021, kur anuloi herësin lidhur me Kodin Zgjedhor.

Shabani tha se “Nisma Thurje” dhe “Shqipëria Bëhet” kërkojnë nga Kushtetuesja të marrë vendimin për hapjen e listave të kandidatëve për deputet.

“Le të jenë qytetarët ata që do të përcaktojnë me votën e tyre se kush ia vlen të futet në Parlament dhe kush jo. Ja të marrim një shembull, Gerti Bogdani, nisur nga respekti që iu tregua sot në homazhet nuk ishte pjesë e Parlamentit, por pjesëmarrja e sotme tregoi se ai gëzonte një respekt popullor”, tha Shabani.

Ai tha se listat e hapura i shërbejnë opozitës, pasi vetëm kështu do të mund të fitojë zgjedhjet. “Opozita i fiton zgjedhjet vetëm me legjitimitet, vetëm duke përfshirë në lista njerëz që do të tërheqin qytetarët që të votojnë për ta. Ndaj listat e mbyllura dëmtojnë opozitën, pasi në listat e mbyllura, do të hyjnë emrat që vendos kryetari, atëherë përse duhet të punojnë ata kur e kanë vendin e sigurtë në listë”, tha Shabani.

Ai u shpreh se ka bindjen që Kushtetuesja do të rrëzojë ndryshimet që ka miratuar Kuvendi lidhur me Kodin Zgjedhor dhe do të hapen listat 100%, në të kundërt ne do të gjejmë artificat ligjore, për të kandiduar me lista të hapura.

Gjithashtu Shabani e konsideroi si shkelje të Kushtetutës qëndrimin e mbajtur nga Kuvendi për mandatin e Olta Xhaçkës.

Kreu i Nisma Thurje tha se qytetarët tashmë për zgjedhjet e 2025 duhet të zgjedhin se kë do të votojnë, politikën e re, apo për pasurimin e Olta Xhaçkës dhe shokëve të saj.

“Mendoj se qytetarët e kanë bërë zgjedhjen e tyre, do të votojnë për politikën e re”, tha ai.