SPAK e kontrollon, shteti i jep miliona. Dorian Sadiku, trashëgimtari i pasurive dhe aferave të Ilir Beqajt
Ndërsa SPAK kontrollon dokumentet e “Delta Pharma”, kompania e Dorian Sadikut ka arkëtuar mbi 1.4 milionë euro nga shteti shqiptar brenda 18 muajve, me pagesa direkte nga 28 institucione publike, kryesisht spitale, përmes tenderash të njëanshëm dhe klientelistë
Më 28 dhjetor 2023, BKH dhe Policia, me urdhër të SPAK, ushtruan kontroll në ambientet e kompanisë “Delta Pharma” në Tiranë, si dhe në disa farmaci të tjera të lidhura me të.
Hetimi nisi pas indicieve të reja se gjatë kohës kur Ilir Beqaj ishte Ministër i Shëndetësisë, janë lidhur kontrata të dyshimta dhe janë manipuluar procedura në favor të kësaj kompanie.
Por pavarësisht se Delta Pharma është në qendër të një hetimi penal për korrupsion dhe klientelizëm shtetëror, kompania vazhdon të përfitojë fonde publike çdo muaj.
Nga dita e kontrollit të BKH e deri më 7 korrik 2025, Delta Pharma ka arkëtuar nga shteti shqiptar 143,173,859 lekë, ose mbi 1.4 milionë euro.
Pagesat janë bërë nga 28 institucione shtetërore, përmes 268 transaksioneve të ndryshme, shumica dërrmuese për furnizime farmaceutike në spitale publike. Vetëm QSUT i ka dhënë mbi 800 mijë euro.
Kjo është një situatë që nuk ka asnjë shpjegim logjik, as ligjor. SPAK ka vendosur që kjo kompani të hetohet për favorizim në tendera.
Ministria e Shëndetësisë dhe strukturat e saj vartëse, në të njëjtën kohë, vazhdojnë t’i japin të njëjtës kompani kontrata të reja dhe pagesa mujore të rregullta. Njëra dorë e shtetit kontrollon, tjetra paguan.
Dosja që po heton SPAK lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si Ilir Beqaj ka modifikuar specifikimet kualifikuese të një tenderi të barnave në vitin 2014, duke hequr kërkesën për autorizim prodhues për disa kompani; përjashto një: Novartis.
Delta Pharma ishte përfaqësuesi i Novartis në Shqipëri, dhe administratori i saj, Dorian Sadiku, është kunati i Kliti Hotit, ish shefit të Novartis për vendin.
Kompanitë e tjera reaguan, depozituan ankesa, por Beqaj nuk u tërhoq. Delta Pharma i fitoi të gjitha lotet.
Më tej, u faktua se barnat nuk janë importuar nga Turqia siç ishte deklaruar në tender, por nga dega e kompanisë në Kosovë, pa dokumentacionin që kërkohet me ligj.
Pas këtij tenderi, Delta Pharma hyri masivisht në listën e barnave të rimbursueshme, ndërkohë që konkurrentët u lanë jashtë.
Sot, Ilir Beqaj është nën arrest. Por Dorian Sadiku, përfituesi direkt i kësaj skeme, vazhdon aktivitetin pa asnjë pengesë. Jo vetëm që nuk është ndaluar, por nga 2024 deri sot ka marrë miliona lekë nga buxheti i shtetit, madje edhe pas kontrollit të SPAK.
Dorian Sadiku, ''trashëgimtari'' i Ilir Beqjas
Sadiku është më shumë se një emër biznesi. Është trashëgimtari i heshtur i gjithë aferave që Beqaj ngriti gjatë kohës që kontrollonte sektorin më të ndjeshëm të shtetit, shëndetësinë.
Dhe lidhja mes tyre nuk është thjesht profesionale. Është e drejtpërdrejtë, politike dhe ekonomike.
Lokali “GZONA”, ndodhur në zemër të Kalasë së Tiranës, është një tjetër provë e qartë. Fillimisht i lidhur me interesat e Ilir Beqajt, sot menaxhohet nga vetë Sadiku. Kjo nuk është rastësi. Është vijimësi. Është trashëgimi pushteti që më parë kishte padron Ilir Beqjan.
Skandali kulmon me rastin e famshëm të 9 milionë eurove. Në vend që të shpenzojë para reale për të blerë aksionet e Delta Pharma, Sadiku përdor një kompani fiktive; Delta Holding, dhe realizon një “shitje” formale me paratë e vetë kompanisë që blen.
Pra, ai e shet kompaninë vetes, me paratë që ende nuk i ka prodhuar. Asnjë bankë nuk do ta financonte këtë marrëzi.
E gjithë kjo nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen, miratimin dhe ndikimin që ka pasur nga Ilir Beqja. Dhe nëse sot Beqja është në arrest, por Sadiku vazhdon të përthithë para publike çdo muaj, atëherë drejtësia nuk është duke pastruar sistemin, por po i jep mburojë trashëgimtarit të tij ekonomik. /Pamfleti
Po ndodh...
Amerika mund të tërhiqet nga Europa, por jo nga SPAK
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
