“U zbuluan komunikime në telefonin e gruas së Berberit”/ Lala tregon pse po hetohet Benet Beci

7 Nëntor 2024, 21:25 / POLITIKË ALFA PRESS

“U zbuluan komunikime në telefonin e gruas së Berberit”/

Gazetarja Klodiana Lala, ka dhënë informacion lidhur me hetimet që po kryen SPAK ndaj kryebashkiakut të Shkodrës Benet Beci.

E ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, Lala tha se hetimi ka nisur pas sekuestrimit të telefonit të bashkëshortes së ish-kreut të ARRSH-së Evis Berberit, ku ka patur komunikime që lidhen me Becin, pasi ajo punonte në KESH. Lala tha se Beci po hetohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

“Benet Beci është person nën hetim zyrtarisht nga SPAK. Po hetohet për korrupsion, shpërdorim detyre. Nuk po hetohet si kryetar bashkie i Shkodrës, por si drejtues i KESH, kur ka qenë drejtor i KESH vite më parë. Është interesant mënyra si ka nisur hetimi. Është pyetur të premten, nuk qëndroi gjatë sepse nuk kishte avokat, më pas ka zgjedhur avokat.

Detaj interesant është që SPAK, ka hetuar ish-drejtorin e Autoritetit Rrugor shqiptar, Evis Berberi. Në shtëpinë e zotit Berberi ishte bërë kontroll. Prokurorët kanë sekuestruar edhe celularin e bashkëshortes, që ka qenë zyrtare e lartë në KESH. Janë zbuluar mesazhe jo vetëm me zotin Beci, por edhe zyrtarë të tjerë në Ministrinë e Infrastrukturës. Pasi janë mbledhur kontrata dhe dokumentacion, prokurorët kanë konkluduar se zoti Beci duhet të jetë person nën hetim. Nga informacionet që kam arritur të marr, janë thirrur edhe bashkëpunëtorë të zotit Beci. Kjo është panorama që ka të bëjë me hetimin deri tani. Mbetet për t’u parë. Zoti Beci nuk ka dhënë dorëheqje”, tha Lala.

 

Po ndodh...