Vegimi hyjnor i Apostullit Gjekmarkaj
Në vigjilje të festës të të Shëlbuemit, apostulli Gjekmarkaj na bëri me dije eksperiencën e vet hyjnore dhe rikthimin tek Ati i tij shpirtëror, “Në se unë nuk shkoj, nuk do të vijë tek ju Ngushëlluesi, por në se shkoj, do t’jua dërgoj” – kështu na e rrëfen Shën Gjoni.
I lumnueshmi Shën Gjon i çfaqet Apostullit Gjekmarkaj në gjumë dhe i kujton se “Festa e “Të Shëlbumit” po afron për të na kujtuar se çdo njeri është i thirrur për jetën e pasosur”.
Si bir i denjë i Atit të tij shpirtëror Gjekmarkaj të nesërmen në Parlament ligjëroi: “Berisha u arrestua në një agresion që i është bërë kushtetutës, ata nuk menduan se Berisha do t’u fliste nga lart, nga qielli, duke i befasuar të pafetë dhe duke u dhënë shah-mat në fushën e lirë të demokracisë”.
Sipas apostullit, Ati i tij u ngjit në qiell, takoi “Ngushëlluesin” dhe i garantoi për ardhjen e tij. Kaq tha i shumëdituri profesor dhe na mrekulloi neve, të vobektit që Ati i tij i thërret për jetën e pasosur në rrugën e kalvarit.
Dikush i bëri pyetjen, pse ti dhe jo një tjetër?!. Nën rrezatimin mrekullor, Gjekmarkaj si mbartës i porosisë hyjnore shpjegon arsyet pse Shën Gjoni e ngarkoi me detyrën e Mesazherit ëngjëllor:
“Biri im, me dituritë e tua shumëplanëshe të denja për misione hyjnore, me zë gjithmonë të ulët, të butë si pambuk, tipik për apostujt që flasin me Etërit, ti e nis ligjëratën me një buzëqeshjë të lehtë, të lehtë sa buzëqeshja e mëngjesit të së dielës.
Kudo ku gjëndesh të rrethon atmosferë solemniteti, zotëron artin e mbajtjes së një fytyre të drejtë gjatë predikimeve më komike. Në fakt, mund të them se ke një sens humori “hyjnor”, duke i kthyer edhe detyrat më të zakonshme të “Atit” tënd shpirtëror në mundësi për një nënqeshje qiellore.
Kur në foltore në atmosferë solemne, dëshmoje vegimin tënd të jetës nuk mund të mos ndieja se nën kostumin tënd si nën mantelin e një prifti, gurgullonte sens humori që mund të bënte këmbanat e kishës të qeshnin apo një copë buke në sallë të kthehej për të vobektit në një festë shpirtërore.
Kam vërejtur se Urtësia të karakterizon me mënyrën sesi mendon dhe jo me atë se çfarë mendon. Kjo është cilësi intelektuale e jona, të përkushtuarve të besimit ndaj Atit tonë shpirtëror. Për Atin tënd Kushtetuta është e shenjtë.
Ai që thellësisht vuan para “Hyjit” agresionin ndaj Kushtetutës mbart hire “Shënjti”. Edhe pse shumë zymtësi e mosbindje ka në Parlament, shakatë dhe humori yt ka diçka të ngjashme me shakatë dhe humorin e priftërinjve në ato momentet e vogla të të qeshurit të papritur gjatë një predikimi.
Në historinë e parlamentarizmit shqiptar njihen dy raste kur dishepujt blejnë liderin përpara se të blejnë vizionin. Rasti i parë është kur dishepullja Mary Elisa Salome çfaqi vullnetin hyjnor për të shenjtëruar Skënderbeun e kohëve moderne. Kongregacioni ekleziastik i tërhoqi vëmendjen se një shenjt nuk mund të lumturohej dy herë. Eksperiencat mrekullore të të parit ishin të provuara dhe të miratuara nga konsili papal 400 vjet më parë.
Ti bir ke shansin dhe mundësinë historike që të kërkosh lumturimin e Atit tënd si Shën Salizar Berisha II. Ti ke shansin që në emër të Rithemelimit të jesh i pari mes 138 apostujve të tjerë të të dyja kampeve të ndërmarrësh iniciativën hyjnore për Lumturimin e tij.
Akti i Lumturimit celebrohet pasi Konsili Rithemelues të ketë miratur të paktën tre prova mrekullore të kryera në jetën e Shënjtit Kandidat. Ati yt është fatlum sepse në jetën e tij ka kaluar nëpër beteja “Kasandrash” më shumë se dyfishin e numrit të nevojshëm të Mrekullive Lumturuese.
Mrekullinë e parë e ka kryer në Pranverë të vitit 1997. Me besimin te Fryma e Shenjtë, përpara gjithë popujve të Lindjes komuniste shqiptarët i bëri të barabartë me qytetarët dhe fshatarët amerikanë. Çdonjëri, sipas vullnetit të vet, trim ose frikacak, në fshat, qytet, në mal ose në fushë, të ketë armë në shtëpi. Nga pistoleta deri mitraloza, armë antitank, eksplozivë të të gjitha llojeve etj.
Ati yt Gjekmarkaj që i jemi mirënjohës në jetën tokësore dhe atë nën tokë na bëri pronarë armësh, ia mori shtetit dhe ia ktheu të zotit. Na mësoi si t’a mbjellim, si të vritemi, si t’a ruajmë tokën e mbjellë dhe mbi të gjitha na mësoi sesi të vrasim armiqtë tanë të përjetshëm, shqiptarët trima legjendarë. Tek e fundit këto armë ishin djersa e pa paguar e shqiptarve. E vërteta vonoi por nuk harroi.
Mrekullia e dytë, shumë afër me të parën u përjetua në Shtator 1988. Me frymën dhe përvuajtjen hyjnore i bëri shqiptarët pa shtet.
Në historinë europiane rasti i parë që një udhëheqës me hire legjendash historike dhe me formim intelektual akademik mjeksor Prof. Dok. të shkallës sipërore, transformoi një sistem shoqëror kriminal në një formë parahistorike modeli pa model të institucioneve. Si jo rrallë herë të parët në autoeksperimentet astro-shoqërore. Rasti gjerman me Hitlerin nuk mundësonte Lumturimin si proçes, Hitleri nuk kishte diplomë të arsimit të lartë.
Këshilli Hirësor i Lumturimit e kalon shpejt mrekullinë e tretë të Salizar Berisha II, në Mars të vitit 2008 në Gërdec, mbasi ishte e pastër si provë shenjtërimi teknikisht e përsosur. Donit një eksperiencë mrekullore të tipit shqiptar? Ja tek e keni, në fushat, kodrat dhe nën qiellin blue të Gërdecit. Shëmbëlltyrë e një mrekullie që në analet shenjtëruese konsiderohet apokaliptike.
Ditën e parë që Ati yt shpirtëror zbriti në Kolltuk ëngjëjt në qiell zbritën pranë tij, e pajisën me aparatura regjistruese dhe e trainuan si dëshmitar të së ardhmes. Mrekulli mbi mrekullitë e tij është që bashkëpunëtorët ia kanë të regjistruara me zë dhe figurë të gjitha kryeveprat sa edhe vet ebrejtë, populli i zgjedhur nga Zoti vuajnë, janë xheloz dhe gërmojnë e gërmojnë thellë në qiell dhe nëntokë për gjetjen e provave mrekullore të Moisiut, profetit të tyre.
Ati yt Salizar B. II ka edhe 6-7 raste të tjera që e bëjnë të jetë një përjashtim i rrallë në historinë e shenjtëve. Ja edhe një jashtë liste. Mrekullia në arsim. Edhe ata të sapolindur trashëgojnë të drejtën që në lindje t’u njihet diploma e arsimit të lartë. Të tjerat, dy deri në tre në fusha të tjerat fitohen në rrugë e sipër nëpër shkallët e jetës. Ky është privilegj hyjnor i “Të Shëlbuemit”, për harmoninë, bashkëjetesën e përsosur brenda kaosit.
Megjithatë “Djalli Antikrisht” tinëzisht bën punën e tij. P.sh. edhe pse mjek me bagazh akademik e human të jashtëzakonshëm, i mungon eksperienca e rasteve shëruese e theksoj, mrekullore. Edhe pse është munduar shumë, tej mase, me të gjitha mjetet teknike në dispozicion, nuk ka mundur të sjellë në jetë asnjë nga të vdekurit në duart e tij të bekuara si duar Shën Gabrieli ose Xhebrahili, të cilëve u është gjëndur pranë si psh, Remziut, Kostës, e ndonjë tjetri.
Megjithatë Lumturimin e ka të sigurtë sepse ka mjaft avantazhe të tjera, mrekullitë e shumta në dobi të popullit e të vendit të tij që e bekon përditë e përnatë edhe pse akoma nuk ka vulë me autoritet Shënjti për një gjë të tillë.
Së fundi, pas lumturimit, të kërkoj Ty bir i denjë i Atit që banesa e tij në qiellin e 8-të të shpallet vend i shenjtë peligrinazhi. Populli të dhurojë të mira financiare sepse vetëm të tilla objekte të shënjta si simbole harmonie do e shpëtojnë dhe do e përparojnë atë vend…”
Nën buzëqeshjen e tij të lehtë, të lehtë si buzëqeshja e mëngjesit të së dielës, Apostulli Gjekmarkaj pranoi përulshëm bekimin e Shën Gjonit që u tërhoq në qiell duke murmuritur A M E N.
Sali Berisha pa Lulzim Bashën është i njëjti si në vitet 97-98!
ide
A ka faj Edi Rama, nëse vret 4 protestues në Bulevard?
A e shndërron pushteti delen në ujk, pulën në dhelpër e kalin në gomar?
top
receta Alfa
TRENDING
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128