Vetëm faji i Bullgarisë apo Shqipëria nuk ka kryer ‘detyrat e shtëpisë’, ja  çfarë thonë vendet e BE

23 Qershor 2022, 13:33 / POLITIKË ALFA PRESS

Vetëm faji i Bullgarisë apo Shqipëria nuk ka kryer ‘detyrat

Rreth dy vite nga çelja e negociatave nga Komisioni Europian, Shqipëria ende nuk e ka mbajtur Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Sot në Samitin e Brukselit do të ketë një shqyrtim tjetër për Maqedoninë e Veriut por gjasat që të mbetemi sërish në klasë janë gati 100%. Kryeminstri Edi Rama nga Brukseli i nervozuar ka akuzuar Bullgarinë për veton ndaj fqinjit tonë me të cilin jemi në bllok dhe i ka quajtur shtetet anëtare të BE-së si impotente, përderisa po lejojnë këtë situatë të turpshme.

Por si është e vërteta; kemi të bëjmë vetëm një tekë nacionaliste të parlamentit Bullgarë, apo edhe vendi ynë ka problem me detyrat e shtëpisë?

Me anë të 28 kërkesave për informacion të dërguara në fillim të këtij viti dhe opinioneve të ekspertëve të fushës, “Faktoje”, verifikoi se edhe shtetet ‘skeptike’ ndaj pranimit të Shqipërisë në BE, si Holanda apo Danimarka më në fund kanë shprehur dakordësinë se vendi ynë i ka bërë vërtetë detyrat.

“Faktoje” dërgoi 27 kërkesa për informacion, respektivisht në Ministritë e Jashtme të çdonjërit nga vendet anëtare të Bashkimit Europian dhe një tjetër ftesë për koment drejtuar Komisionit Europian.

“Si Shqipëria ashtu edhe Maqedonia e Veriut i kanë plotësuar kushtet për negociatat e anëtarësimit. Komisioni do të mbetet në kontakt me të gjitha palët dhe do të punojë me Presidencën për të arritur qëllimin tonë të përbashkët, për fillimin zyrtarisht të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut sa më shpejt të jetë e mundur.” – thuhet në përgjigjen e Komisionit Europian pas interesimit të “Faktoje”.