Ylli Manjani sqaron kritikët: Ja përse shkova e fola te tryeza e Berishës

23 Qershor 2022, 14:00 / POLITIKË ALFA PRESS

Ylli Manjani sqaron kritikët: Ja përse shkova e fola te tryeza e

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i cili është shndërruar në komentatorë dhe analist politik i pozicionuar ashpër kundër qeverisë Rama, ka sqaruar ata që e kanë kritikuar se përse mori pjesë në tryezën e radhës së Berishës me shoqërinë civile.

Nëpërmjet një shënimi të shkurtër Manjani shkruan se nuk ka mbetur asnjë vend ku mund të thuash mendimet e tua dhe nëse një bashkëbisedim të tilë do ta organizonte edhe Edi Rama, do të shkonte dhe do thoshte të vërtetat.

Postimi i plotë:

Ka disa snobë, që nuk janë zëdhënës pushteti, që më thonë "po ti, te Berisha i thua këto gjëra"?

Ndonjë tjetër më sugjeron se "nuk më shkon mua të flas të Berisha se po i shërben"...

Zëdhënësit elektronikë të pushtetit i bien më shkurt "ky është me Berishën"...

***

Për të gjithë këto kategori kam vetëm një pyetje:

Dakord që nuk u flitka te Berisha, po ku flitet këto kohë?!

Na thoni ku dhe do shkoj ti them edhe aty të njëjtat gjëra. Edi Ramës gjithashtu jam gati të shkoj e ti them se bashkëpunëtorët e tu nuk e kanë shpërdoruar detyrën dhe mos u tall as me ta e as me shqiptarët. Dilu në krah, po të jesh burrë, se ndoqën porositë e tua besnikërisht, deri në fund!!!

Por në pushtet siç e dini nuk flitet se të mbyllin fjalën. Unë e provova të folurën aty.

Në opozitë nuk flitet më askund përveçse tek ato takime që bën Berisha.

Ku tjetër doni që ti them, përveç se në media që kam kohë që i them dhe me zë të lartë dhe thuajse i vetëm?!

Në rrjet social po e po. Por debati publik nuk bëhet në rrjet social në mënyrën më asociale të mundshme. Rrjeti social vetëm social nuk është.

Ku tjetër? Ma thoni ju!

Sa për atë se i kujt jam, edhe ju vetë e dini se fjala ime del veç nga mend'të e mia, siç ka dalë gjithmonë. Vendin e të folurit nuk e kam zgjedhë kurrë. Ku kam marrë pjesë kam folur.

Berisha na thirri, te Berisha folëm. Kaq.

Konspiracionet nuk i bëjnë mirë shëndetit të askujt.

KUSHTETUTË E RE dhe një SHTET JOPARTIAK, pa asnjë dyshim!

Te Saliu apo jo, kjo është domosdoshmëri për vendin!

Po ndodh...