Studimi/ Kafe apo çaj, ja sa duhet të pini në ditë që të mos rrezikoni demencë

10 Shkurt 2026, 14:11 / RECETA ALFA ALFA PRESS
Studimi/ Kafe apo çaj, ja sa duhet të pini në ditë që

Një studim i publikuar në revistën JAMA tregon se personat që konsumojnë kafeinë kanë një rrezik më të ulët për zhvillimin e demencës, krahasuar me ata që pinë pak ose aspak kafe apo çaj.

Sipas studimit, pjesëmarrësit me konsumin më të lartë të kafeinës kishin rreth 18 për qind më pak gjasa të preken nga demenca. Ata raportuan gjithashtu më pak probleme me kujtesën dhe funksionet mendore, bazuar në vetëvlerësimin e tyre.

Efekti pozitiv u vu re te personat që pinin kafe dhe çaj me kafeinë, ndërsa pijet pa kafeinë nuk treguan përfitime të ngjashme. Rezultatet ishin më të dukshme te ata që konsumonin dy deri në tre filxhanë kafe në ditë ose një deri në dy filxhanë çaji.

Sipas studiuesve, përbërës si kafeina dhe polifenolët mund të ndihmojnë në uljen e inflamacionit në qelizat nervore dhe në mbrojtjen e trurit nga dëmtimet që lidhen me plakjen.

Megjithatë, autorët theksojnë se studimi nuk provon lidhje shkak-pasojë dhe se efekti i vërejtur është relativisht i vogël. Kafeja dhe çaji nuk parandalojnë demencën, por mund të jenë pjesë e faktorëve që ndikojnë pozitivisht në shëndetin e trurit.

“Përveç kafesë dhe çajit, ushtrimet fizike, dieta e shëndetshme dhe gjumi i mjaftueshëm mbeten thelbësore për ruajtjen e shëndetit mendor,” tha Daniel Wang nga Harvard Medical School.

Studiuesit shtojnë se përfitimet e vërejtura ishin të ngjashme edhe te personat me predispozicion gjenetik për demencë.

Demenca mbetet një nga sëmundjet më të përhapura te moshat e treta dhe, në mungesë të një kure, studimet po përqendrohen gjithnjë e më shumë te roli i stilit të jetesës në uljen e rrezikut.

Po ndodh...

ide