Tortelini me kungull

3 Dhjetor 2022, 08:43 / RECETA ALFA ALFA PRESS

Tortelini me kungull

Koha e përgatitjes: 25 minuta

Koha e pushimit: 20 minuta

Koha e gatimit: 4 minuta

Për 4 persona

Përbërësit për tortellinit

300 gr miell 00

3 vezë

Për mbushjen

1 kg kungull i verdhë, 150 gr djathë i grirë  Parmigiano Reggiano, 1 vezë, arrëmyshk sipas dëshirës, bukë e grirë (sipas nevojës), kripë sipas dëshirës.

Për salcën

80 gr gjalpë, 60 gr djathë i grirë Parmigiano Reggiano, 1 tufë sherebelë.

Përgatitja

1.Hidhni miellin në tryezën e punës në formë piramide. Hapini një vrimë dhe hidhni vezët një e nga një dhe punoni brumin derisa të jetë i butë dhe homogjen.

2.Mbulojeni brumin me qese plastmasi kuzhine dhe lëreni të pushojë për 20 minuta në frigorifer.

3.Prisni kungullin në copa të mëdha, hiqini farat dhe piqeni në furrë në tempereturën 180 gradë C për rreth 25 minuta.

4.Kur copat e kungullit të jenë zbutur, hiquni lëkurën dhe kalojini në një mikser perimesh për të përftuar një pure (jo të lëngshme).

5.Shtoni te masa e puresë vezën, djathin e grirë Parmigiano, pak arrëmyshk dhe kripë. Përziejini të gjitha mirë. Nëse masa është e lëngshme shtojini pak bukë të grirë.

6.Hapni brumin e përgatitur me petës ose makinë për makaronat në një trashësi 1 mm.

7.Vendosni nga 1 lugë kafeje mbushje në petë në një distancë 8 cm nga njëra mbushje tek tjetra.

8.Mbulojeni petën me mbushjet me një tjetër petë.

9.Pritini tortellinit në formë katrore rreth 6 cm secila me një thikë me dhëmbza rrethore për pastiçeri.

10.Mbyllini anët mirë, duke i shtypur me pirun që të mos dalë mbushja gjatë gatimit.

11.Zieni tortellinit në ujë të vluar të bollshëm me kripë, kullojini me një lugë me vrima dhe tigansini në një tigan me gjalpë të aromatizuar me sherebelë.

12.Shërbejini të ngrohta me djathë të grirë Parmigiano Reggiano.

 

 

Po ndodh...

ide