Açerbi dhe Stefan de Vrij do të largohen/ Inter në kërkim të mbrojtësve të rinj, zbulohen objektivat dhe dëshirat e zikaltërve në merkato

4 Prill 2026, 10:50 / SPORT ALFA PRESS

Açerbi dhe Stefan de Vrij do të largohen/ Inter në kërkim

Interi është në kërkim të përforcimeve në mbrojtje dhe pritet të bëjë të paktën dy afrime në këtë repart. Françesko Açerbi dhe Stefan de Vrij do të largohen në fund të kontratës, ndërsa mbi Alesandro Bastonin ka shfaqur interes Barcelona. Drejtuesit Xhuzepe Marota dhe Piero Auzilio kanë disa emra në listë për të forcuar prapavijën.

Mario Gila, profili i ngjashëm me Bastonin

Mario Gila, mbrojtësi i Lacios, është një nga emrat më të fundit dhe kërkohet edhe nga Milani. Ai luan zakonisht në një mbrojtje me katër, por ka aftësi të dalë përpara me topin dhe të kontribuojë në fazën sulmuese. Pyetja është nëse mund të përshtatet në një mbrojtje me tre dhe të luajë rolin e Bastonit. Përgjigjja duket pozitive, edhe pse është më defensiv. Me një mesatare të lartë rikuperimesh dhe prezencë në zonën kundërshtare, ai përfaqëson një opsion të besueshëm. Vlera e tij është rreth 25 milionë euro.

Oumar Solet, i provuar dhe në rritje

Oumar Solet është një tjetër objektiv i kahershëm. Aktualisht te Udineze, ai ka treguar formë të shkëlqyer këtë sezon. Ka shënuar edhe në “San Siro” dhe është përballur më parë me Interin në Champions me Red Bull Salzburg. Mbrojtësi francez spikat për driblimet, rikuperimet dhe aftësinë për të avancuar me topin, duke u krahasuar shpesh me Jan Bisek. Kostoja e tij është rreth 15 milionë euro.

Tarik Muharemoviç, e ardhmja nga Bosnja

Tarik Muharemoviç, aktualisht te Sasuolo, është një nga zbulimet e sezonit. I lindur në vitin 2003, ai ofron perspektivë afatgjatë dhe fleksibilitet, duke qenë i majtë dhe i aftë të luajë si qendërmbrojtës apo në krah. Spikat për pastrimet dhe ndërhyrjet, ndërsa interes për të ka edhe Juventus, që ruan një përqindje të shitjes së ardhshme. Vlera e tij llogaritet rreth 25- 30 milionë euro.

Joel Ordonjez, bast për të ardhmen

Joel Ordonjez është më i riu në listë. Luan te Klub Bryzh dhe spikat për fizikun (1.88 m), forcën dhe aftësinë në duelet ajrore. Ai është gjithashtu i përfshirë në ndërtimin e lojës, falë saktësisë në pasime. Interi e ndjek prej kohësh dhe mund të bëjë lëvizjen në verë, me një kosto rreth 20-25 milionë euro. Në përfundim, zikaltërit po vlerësojnë disa profile të ndryshme, mes eksperiencës dhe rinisë, për të rindërtuar një repart mbrojtës që pritet të ndryshojë ndjeshëm në sezonin e ardhshëm.

Po ndodh...

ide