Brazili/ Zbulohet lista paraprake e Ancelotti-t, Neymar, Oscar dhe një emër i ri i papritur

19 Maj 2025, 16:02 / SPORT ALFA PRESS

Brazili/ Zbulohet lista paraprake e Ancelotti-t, Neymar, Oscar dhe një

Edhe pse largimi i Carlo Ancelotti-t nga Real Madridi nuk është bërë ende zyrtar nga klubi spanjoll, në Brazil ka filtruar tashmë lista paraprake e teknikut italian si trajner i përfaqësueses "Seleção".

Sipas asaj që ka zbuluar media braziliane ‘Globoesporte’, Ancelotti ka hartuar një listë paraprake me afro 50 lojtarë, nga e cila do të zgjedhë 23 për sfidat e eliminatoreve të Kupës së Botës kundër Ekuadorit (6 qershor) dhe Paraguajit (11 qershor). Zyrtarisht, ai do të prezantohet si trajner i Brazilit më 26 maj nga CBF.

Ndër risitë më të mëdha është emri i Igor Paixão, sulmues i Feyenoord-it, që ka zhvilluar një sezon fantastik me 18 gola dhe 19 asistime, por që ende nuk ka debutuar me ekipin e parë të Brazilit.

Po ashtu, pritet rikthimi i Neymar-it, i cili mungoi në listën e fundit për shkak të dëmtimit, dhe i Oscar, mesfushor 33-vjeçar që pas 8 vitesh në Kinë është kthyer në futbollin brazilian me Sao Paulon.

Në listën e publikuar nuk figuron ende emri i Casemiros, duke shtuar dyshimet për të ardhmen e tij në kombëtare.

Një tjetër detaj interesant është prania e 6 lojtarëve nga Flamengo: Wesley, Léo Ortiz, Gerson, Alex Sandro, Pedro dhe Danilo,ky i fundit ish-lojtar i Realit të Madridit.

Ndërkohë, pritet që lista përfundimtare me 23 emrat që do të grumbullojë Ancelotti të bëhet publike më 26 qershor, edhe pse sipas rregullave të FIFA-s, klubet duhet të njoftohen të paktën 15 ditë më parë për thirrjet e mundshme.

Nëse nuk ka ndonjë dëmtim apo surprizë, lista përfundimtare e Ancelottit do të udhëhiqet nga ‘yjet’ e Real Madridit: Vinicius, Rodrygo dhe Endrick, si dhe nga Raphinha i Barcelonës.

Një erë e re nis për Brazilin dhe sytë janë te tekniku italian që synon të udhëheqë kampionët e pesëfishtë drejt lavdisë së gjashtë.

 

Po ndodh...