Federata Angleze kundër Katarit

19 Shtator 2022, 09:12 / SPORT ALFA PRESS

Federata Angleze kundër Katarit

Zgjedhja e Katarit për organizimin e Kupës së Botës ka edhe të pakënaqur. Diçka e tillë nuk është parë aspak me sy të mirë nga shoqëria angleze deri në atë pikë sa Federata e këtij vendi ka njoftuar se po përgatit një sërë protestash gjatë eventit për të treguar refuzimin e saj ndaj një shteti që nuk respekton të drejtat e njeriut. Trajneri i Anglisë, Garet Sauthgejt dhe Federata Angleze pritet të dalin në një deklaratë të qartë për të ruajtur një të drejtë themelore, siç është ajo e të jetuarit pa paragjykime.

Federata angleze ka shprehur shpesh frikën për tifozët homoseksualë dhe lesbiket që jetojnë në Katar, një grup i kërcënuar gjithmonë pasi homoseksualiteti është i paligjshëm në këtë vend dhe ka ngritur çështjen e të drejtave të njeriut dhe të punëtorëve sa herë që ka pasur raste të lëndimeve ose fataliteteve gjatë përgatitjeve për Kupën e Botës.

Shumë prej tyre nuk kanë marrë dëmshpërblim sepse nuk ka pasur autopsi dhe vdekja e tyre nuk është konsideruar si aksident në punë, por thjesht shkaqe natyrore, edhe pse ishin të rinj që punonin me orë të tëra në vapë ekstreme.

Një solidarizim pritet të ketë edhe mes kapitenëve të skuadrave pjesëmarrëse. Sulmuesi Herri Kejn ka pranuar se do të bind Kristian Eriksen, Virxhil van Dajk dhe Hugo Loris për të bërë një gjest të përbashkët simbolik në mbështetje të të drejtave të njeriut në shtetin arabik. Kupa e Botës në Katar do të mbahet mes muajve Nëntor dhe Dhjetor.

Po ndodh...