Festë në Korçë/ Skënderbeu U-19 mund Partizanin dhe do të luajë në Champions sezonin e ardhshëm

26 Prill 2025, 17:12 / SPORT ALFA PRESS

Festë në Korçë/ Skënderbeu U-19 mund Partizanin dhe

Teksa ekipi i parë është i ndaluar për të marrë pjesë në Uefa Champions League, ku i duhen edhe dy vite për të shlyer dënimin 10-vjeçar, Skënderbeu ka arritur që ta rihapë “derën” e Europës me ekipin e të rinjve.

Skënderbeu U-19 ka arritur të fitojë me rezultatin 2-1 me pyrmbysje në Korçë, duke u shpallur kampion i kësaj kategorie dhe në sezonin e ardhshëm do të përfaqësojnë Shqipërinë në UEFA Youth League.

Kjo ishte ndeshja e fundit e këtij sezoni, teksa Skënderbeu ishte në vendin e parë vetëm me një pikë diferencë nga Partizani i vendit të dytë dhe në ndeshjen e sotme do u mjaftonte edhe një barazim për t’u shpallur kampion, por ka arritur që të fitojë, majde edhe me përmbysje.

Miqtë nga kryeqyteti kaluan të parët në avantazh që në fraksionin e parë të lojës, ku goli u shënua mbrojtësit Nela që tundi rrjetën në minutën e 42-të.

Ndërkohë, me nisjen e pjesës së dytë, ishte kapiteni Skerdi Xhixho, i cili shënoi golin e barazimit në minutën e ’46, pas një asisti të Altin Ukiçit.

Ndërkohë, goli i pëmbysjes për “Ujqërit e Dëborës” erdhi vetëm pak minuta më vonë  me anë të mbrojtësit të majtë Jetmir Laze, i cili përfitoi nga një gabim i portierit të Partizanit, Skënder Tahiri.

Në minutën e 85-të kapiteni i Partizanit, Trokthi shpërdoroi një 11-metërsh duke e dërguar topin jashtë kuadratit. Nuk mungoi edhe tensioni, teksa Hidri në minutën e 87-të dhe Xhixho në minutën e 89-të lanë të dyja skuadrat me 10 lojtarë duke u ndëshkuan me karton të kuq.

Vlen të theksohet fakti se për këtë duel pati një interes maksimal nga ana e tifozëve korçar, teksa afro 1 mijë sportdashës ndoqën nga afër finalen e 19-vjeçarëve.