“Për Ibrahimoviç i marr unë të gjitha përgjegjësitë”/ Drejtori sportiv i Lacios shpjegon “bastin” e tij: Hysaj ndoshta kthehet pjesë e ekipit

18 Janar 2025, 00:06 / SPORT ALFA PRESS

“Për Ibrahimoviç i marr unë të gjitha

Lacio ka qenë thuajse aspak aktive në merkato gjatë janarit, pavarësisht situatave të ndryshme që janë krijuar me dëmtimet në ekip. I vetmi afrim është ai i Arijon Ibrahimoviç, djaloshit shqiptar 19-vjeçar që u transferua nga Bajern Mynih.

Një zgjedhje për të cilën ka folur sot drejtori sportiv i Lacios, Anxhelo Fabiani, në një intervistë për “Lazio Style Radio” ku ka shpjeguar strategjitë e klubit, duke insistuar se nuk do të blihet për t’i bërë qejfin atyre që kërkojnë një klub aktiv në merkato.

“Kemi afruar vetëm një djalosh të ditëlindjes 2005 dhe marr unë të gjitha përgjegjësitë për këtë lëvizje. Sot për sot, të përmirësosh një mesfushë si e Lacios nuk është e thjeshtë, të blesh sa për të thënë nuk ka kuptim. Pse morëm Ibrahimoviç? Pasi vitin e kaluar përfaqësoi atë që vitet 2006 po bëjnë tani. Ka bërë mirë dhe ka cilësi. Është një investim i rëndësishëm për moshën që ka. Unë nuk afroj 33-vjeçarë, pasi dua që të ec me një model si Fejenordi me të rinj që kanë uri dhe dëshirë të shpërthejnë.

Ibrahimoviç është një lojtar i datëlindjes 2005 që ka mundësinë të tregojë të gjithë cilësitë e tij. Pastaj varet nëse del t’i tregojë në praktikë. Nuk duhet të jemi kurrë paragjykues ndaj këtyre djemve”, tha Fabiani.

Ai më pas foli edhe për kthimin në ekip të Elseid Hysajt, siç ndodhi në ndeshjet e kaluara ku ai edhe hyri në fushën e lojës. “Nuk ka dyshime që sot për sot me dëmtimin e Lazarit, Hysaj është pjesë përbërëse e ekipit ashtu siç ishte kundër Napolit. Ata që u lanë jashtë grupit, kanë jetuar si me grupin me shokët e tyre dhe ne kemi respektuar profesionalizmin dhe vlerat që kanë. Ndoshta mund të kthehen pjesë e grupit të Lacios”, tha ai, duke lënë të kuptohet se Hysaj mund të përfshihej përsëri në listat e ekipit për pjesën e dytë të sezonit.

 

Po ndodh...