Tiago Mota: Gjithçka OK, Juvja pret ende nga merkatoja

13 Gusht 2024, 10:26 / SPORT ALFA PRESS

Tiago Mota: Gjithçka OK, Juvja pret ende nga merkatoja

Vështirësitë e fazës përgatitore mes goditjesh të papërfunduara në merkato dhe lojtarësh enge në organikë, edhe pse të padëshiruar, nuk e kushtëzojnë Tiago Motën.

Të paktën në dukje, nëse bazohemi te deklaratat që trajneri i Juventusit ka dhënë dje për televizionin e klubit: “Unë dhe Xhiuntoli jemi gjithmonë në komunikim dhe në mendje, e dimë se çfarë kemi nevojë dhe po ecim përpara. Jemi në të njëjtën linjë, do të bëjmë një ekip konkurrues dhe të qëndrueshëm.

Të gjithë kemi entuziazëm të madh për sezonin që na pret.” Ish-tekniku i Bolonjës, pavarësisht humbjeve në miqësoret e verës, mbetet pozitiv, por mbi të gjitha i qetëson tifozët e Juventusit, duke nënvizuar harmoninë e duke siguruar një përfundim të nxehtë merkatoje: “Jam i bindur për djemtë që kam në organikë dhe e atyre që do të vijnë për të forcuar skuadrën.”. Pra, një sinjal mbi goditjet që Juvja është gati të lëshojë. Megjithatë, ai nuk shkoi shumë larg në blerjen më të shumëpritur, të dëshiruar prej kohësh nga juventinët: “Kopmeiners? Nuk kam folur me Gasperinin”.

VËSHTIRËSITË – Mota është i vetëdijshëm për shumë punë që duhet bërë ende, por nënvizoi edhe hapat e shumtë përpara të bërë në këtë kohë të shkurtër së bashku me skuadrën: “Tashmë po mendoj që kampionati do të fillojë dhe jam shumë i lumtur. Kemi një javë për t’u përgatitur për ndeshjen e parë kundër Komos”. Edhe për ndeshjen me Atletikon nuk mungojnë aspektet pozitive, pavarësisht se rezultati ishte një humbje 2-0 me vetëm një goditje në kuadrat, pa rrezik, nga Jildiz.

“Tifozë presin rezultate, por duhet thënë se kjo skuadër ka pasur shumë progres. Edhe kundër Atletikos kemi krijuar jo pak rreziqe për më tepër që ishte një skuadër që mbrohet shumë mirë dhe vjen për të sulmuar me duele një kudër një. Ndonjëherë e vendosëm në vështirësi mbrojtjen e tyre. Kur gjen një bllok të ulët është e vështirë të krijosh situata shënimi sepse mbyllen mirë dhe tentojnë të kundërsulmojnë, siç ndodhi me rastin e golit të dytë të pësuar. Kemi bërë progres por sigurisht që nuk mjafton, duhet të vazhdojmë”, vijoi Mota. Në fund, ai u ndal edhe në emra të përveçëm pasi duhet thënë se Di Gregorio, Jildiz apo Duglas Luiz kanë qenë më të mirë në të gjitha miqësorët e bardhezinjve.

“I kam kërkuar Jildizit të qëndrojë në korsi. Ai duhet të jetë i hapur për të kërkuar duelet një kundër një, të sulmojë thellësinë, të futet në qendër dhe të gjuajë. Edhe Duglas Luizin e pashë mirë, por kur nuk fitojmë, gjithmonë mund të gjejmë diçka për të punuar. Duhet të përmirësohemi, por jo vetëm në aspektin e golave nga loja e hapur, por edhe në shumë të tjera, individualisht dhe si ekip”, përfundoi trajneri i “Zonjës së Vjetër”.