Tre të humbura, penalltitë bëhen makthi i Elbasanit

11 Shkurt 2025, 16:17 / SPORT ALFA PRESS

Tre të humbura, penalltitë bëhen makthi i Elbasanit

Elbasani vazhdon të “qajë” atë penallti të humbur ndaj Egnatias, sepse mund të ndryshonte rrjedhën e lojës dhe në fund mund të dilte me një rezultat pozitiv. Më shqetësuese është situata, sepse nga pika e bardhë goditi sulmuesi Tsague, ndërkohë që sipas hierarkisë në ekip, gjuajtës të parë janë Lila me Mustën.

Tsague mori përsipër pa miratimin e trajnerit ta godiste atë 11-metërsh dhe për fatin keq të tij dhe ekipit e humbi, me Dajsinanin që kuptoi gjithçka dhe e neutralizoi. Në fund verdheblutë dolën pa pikë nga kjo përballje, në një kohë kur kishin më shumë se kurrë nevojë për të bërë kthesën në rezultate.

PENALLTITË MAKTH – Në fakt, duket se verdheblutë nuk kanë aspak një marrëdhënie të mirë nga 11-metërshat këtë sezon, që kanë rezultuar thuajse gjithnjë “ters” dhe skuadrës nuk i kanë shërbyer për të marrë pikët maksimale. Madje, duke mos ia dalë asnjëherë të fitojnë sa herë kanë pasur një penallti në favor. Më konkretisht, nga pesë penallti të fituara këtë edicion, elbasanasit kanë shënuar vetëm prej tyre dhe kanë humbur plot tre.

Ka gabuar një herë Emiljano Musta në sfidën me Tiranën, ku Elbasani mori vetëm një barazim. Më pas ka gabuar dy herë Tsague, fillimisht me Laçin në tranfertë dhe së fundmi me Egnatian në shtëpi. Ironia e fatit është se në të dy rastet afrikanit ia ka pritur Dajsinani gjuajtjen. Sakaq, kanë shënuar Hila përballë bardhebluve dhe Lila ndaj kurbinasve, por që sërish nuk kanë mjaftuar për të fituar, sepse janë ndalur përkatësisht në barazim dhe humbje.

KRIZA – Elbasani është duke kaluar një moment krize, sepse u bënë katër ndeshje në kampionat që nuk po merr dot fitoren, duke regjistruar vetëm një barazim dhe tri humbje. Një situatë kjo që i ka nxjerrë jashtë gare verdheblutë sa i përket luftës për në “Final 4” dhe tani janë të përqendruar totalisht për të siguruar sa më shumë pikë që të mos vënë në rrezik mbijetesën.

Edhe pse vijojnë të qëndrojnë në vendin e 5-të, mjafton një tjetër rezultat negativ për ta vënë në “sikletet” e mbijetesës, meqenëse edhe ekipet poshtë po afrohen dhe gara sa vjen e bëhet më e ashpër. Ndeshja e radhës është ajo me Bylisin në transfertë, ku do të kërkohet me ngulm rikthimi te fitorja, si mënyra e vetme për të rikthyer qetësinë në kampin verdheblu.

 

Po ndodh...