“Dora ime gjuajti tim bir”, rrëfimi prekës i Edmond Tupjas: Më tha ‘të kam xhan o ba’

6 Maj 2024, 10:58 / TRENDING ALFA PRESS

“Dora ime gjuajti tim bir”, rrëfimi prekës i Edmond

Shkrimtari Edmond Tupja ka bërë një rrëfim prekës për përballjen e familjes së tij me autizmin. I ftuar në ‘mos i bjer me top’, Tupja ka rrëfyer një moment prekës, teksa ka ngritur dorë mbi djalin e tij që vuan nga spektri i autizmit, për shkak se për ditë me radhë nuk i linte që të flinin gjumë.

Edmond Tupja: Momenti që më ka tronditur më shumë në jetën tme ishte kur djali u diagnostikua me autizëm. Nuk kishte ende dhunë, por rrinte me netë të tëra pa gjumë dhe neve nuk na lintë të flinim. Kam shkruar tek libri “dhimbja fal dashuri”. Në orët e gjumit krevati i djalit ishte nga ana ime, jo nga ana e gruas sime sepse ajo lodhej, iu përkushtua pafund, ajo është heronia e familjes time. Hoqi dorë nga piktura, ishte një piktore e mirë. Hoqi dorë nga ilustrimi i librave për fëmijë.

Kishim netë pa gjumë, të rrish pa gjumë është e tmerrshme. Nuk të çlodhej truri. Kishim javë të tëra kështu, isha aq i drobitur saqë nuk i përkisja vetes dhe në një moment të caktuar ai fliste, grindej, unë i trullosur nga pagjumësia, pashë një dorë që u çua dhe goditi tim bir, ishte dora ime. Isha i pavetëdijshëm se çfarë bëja dhe dëgjoj zërin e djalit “o më vrave o ba”. Pastaj dëgjova zërin tim “mirë ta bëra” dhe pastaj dëgjova tim bir që u çarmatosa komplet “të kam xhan o ba”.

Kjo “të kam xhan o ba”, kjo mua më ndryshoi (përlotet). Më këputi shpirtin, por më ndryshoi. Që atëherë e mblodha veten. Ata të japin dashuri. Kur e ëma i gatuan diçka që e ka qejf ai shkon pa u ndjerë nga mbrapa e puth në kurriz, “mami të kam xhan, babi të kam xhan, të kam këtu tek zemra”.