
10 vjet gjyqe për gjuajtjen e Ramës me vezë, ish-studentët kërkojnë drejtësi

Dhjetë vite pas protestës simbolike, ku sfiduan Kryeministrin Edi Rama duke e gjuajtur me vezë, tetë ish-studentë të “Lëvizjes për Universitetin” rikthehen në gjykatë për të kërkuar pafajësinë.
Edhe pse kanë shlyer dënimin me orë shërbimi komunitar, një vendim i fundit i Gjykatës së Lartë ka rikthyer çështjen për rigjykim.
Tashmë, ata synojnë jo vetëm të pastrojnë emrat e tyre, por edhe të dërgojnë një mesazh të qartë se liria e shprehjes dhe e drejta për protestë nuk mund të cenohen me lehtësi.
Në nëntor të vitit 2015, Fakulteti i Shkencave Sociale në Tiranë u bë skenë e një përplasjeje mes studentëve dhe pushtetit të qeverisë së parë Rama, një episod që do të linte gjurmë në debatin për lirinë e shprehjes dhe të drejtën për të protestuar.
Ishte mesditë e 2 nëntorit kur një grup studentësh të “Lëvizjes për Universitetin” u vendosën në hyrje të fakultetit. Ata u vunë në pritje të daljes së Kryeministrit Edi Rama, i cili atë ditë ndodhej aty në një takim.
Prej më shumë se një viti, Lëvizja kishte kundërshtuar “Reformën e Arsimit të Lartë,” një nismë qeveritare e miratuar në parlament pavarësisht kritikave të opozitës, akademikëve dhe shoqërisë civile. Reforma, sipas kundërshtarëve, rrezikonte autonominë universitare dhe i hapte rrugën komercializimit të mëtejshëm të arsimit të lartë.
Sapo Kryeministri doli nga fakulteti, thirrjet e studentëve kundër tij dhe në mbrojtje të arsimit publik falas pushtuan oborrin. Në një moment tensioni, një vezë u lëshua drejt të tij, por nuk e goditi.
Reagimi i forcave të sigurisë ishte i menjëhershëm. Oficerët e policisë dhe gardës, – disa të veshur civilë, – ndërhynë duke ndaluar dhunshëm disa studentë, përpjekjet për t’u larguar të të cilëve rezultuan të kota.
Tetë prej tyre përfunduan në ambientet e Komisariatit Nr.2, ku u mbajtën për rreth tetë orë pa ndonjë shpjegim të qartë.
Në përfundim, ndaj tyre u ngritën akuzat “goditje për shkak të detyrës” dhe “kundërshtim i punonjësve të policisë.” Hetimet ndaj tyre zgjatën pesë muaj, ndërsa procesi gjyqësor u shtri për dhjetë muaj të tjerë.
Më 20 mars 2017, Gjykata e Tiranës i shpalli fajtorë, duke i dënuar me dy muaj burg, një dënim që më pas u konvertua në 60 orë punë komunitare.
Përfaqësuesit ligjorë të studentëve, nga qendra “Res Publica,” apeluan vendimin, por Gjykata e Apelit refuzoi ankimimin me argumentin se kjo qendër “nuk kishte të gjitha tagrat për të ushtruar apelimin në emër të të pandehurve.”
Por ky vendim nuk do të ishte i fundit në këtë histori. Në një kthesë të papritur, në mars të këtij viti, Gjykata e Lartë e cilësoi qasjen e Apelit “tejet formale dhe joproporcionale,” duke konstatuar se ajo u kishte mohuar studentëve akses të plotë në drejtësi.
Si rezultat, gjykata urdhëroi rishqyrtimin e çështjes nga një trup tjetër gjykues në Apel dhe tashmë tetë ish-studentët kanë mundësi të fitojnë pafajësinë.
Procesi i parregullt dhe rëndësia e çështjes
Hetimet dhe procesi gjyqësor në ngarkim të tetë studentëve u shoqërua me një sërë problematikash. Gjatë seancave, të cilat shpesh u shtynë pa ndonjë arsye të fortë, Kryeministri Rama nuk dëshmoi asnjëherë.
Ndërkohë, punonjësit e policisë që ndodheshin në vendngjarje nuk arritën kurrë të identifikonin asnjë student si autorin e pretenduar të hedhjes së vezës. Si provë materiale u sekuestruan vetëm mbetjet e një kokërr veze.
Katër dëshmitarë të akuzës, të gjithë efektivë të policisë, dhanë dëshmi identike, duke ngritur dyshime mbi besueshmërinë e tyre. Për më tepër, policia kreu kontrolle të paautorizuara në banesat e studentëve, dhe sipas dëshmive, disa prej tyre u përballën me dhunë fizike.
Ndërsa anëtarët e “Lëvizjes për Universitetin” u përballën me një proces të gjatë dhe të vështirë gjyqësor, një prej oficerëve të përfshirë në ndalimet e dhunshme të asaj dite avancoi në karrierë pavarësisht implikimeve në veprimtari të dyshimta.
Sipas ish-studentëve të ndaluar më 2 nëntor 2015, Dedian Gjoni ishte një nga policët që mori pjesë në operacion. Tetë vjet më vonë, në vitin 2023, ai u arrestua si i dyshuar për përfshirje në aktivitete kriminale dhe sigurimin e kushteve për atentate.
Kjo shton edhe më tej dilemat mbi drejtësinë dhe përgjegjësinë institucionale në trajtimin e çështjeve të protestave kundër qeverisë.
“Imagjinoni se për çfarë arsye një njeri i tillë, ka qenë në polici dhe për çfarë arsye Rama e ka pasur në strukturat më të larta të policisë,” tha Bora Mema, një nga ish-studentët e përfshirë, gjatë emisionit “Ora e Betit” teksa denoncoi se Gjoni ka qenë ndër oficerët që dhunoi dhe kërcënoi studentët në protestën e vitit 2015.
“Çështja nuk është thjesht për një vezë, por për të drejtën për të pasur një protestë në çfarëdolloj mënyre, e drejta për t’u shprehur, e drejta për të pasur një proces të rregullt ligjor,” theksoi avokati Dorian Matlija gjatë së njëjtit emision.
Episodi që nisi si revoltë studentore kundër një reforme universitare, po përfundon duke u kthyer në një precedent me ndikim të gjerë mbi të drejtat e protestuesve në Shqipëri dhe qasjen e shtetit ndaj zërave qytetarë që mendojnë ndryshe./Citizens.al

ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128