OSHEE faturoi si dëm ekonomik 1.5% të energjisë së vjedhur - Penalizimi me “gjobë kilovatësh” për klientët e kapur në shkelje

7 Mars 2025, 16:07 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

OSHEE faturoi si dëm ekonomik 1.5% të energjisë së vjedhur -

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka mundur të faturojë një sasi të vogël vjedhjeve të energjisë. Sipas të dhënave zyrtare nga Enti Rregullator i Energjisë, për vitin 2024 janë faturuar si dëm ekonomik 6.259 mWh energji, ndërkohë që niveli i humbjeve jo teknike ku përfshihen vjedhjet, për vitin që kaloi është 415.638 mWh energji. Kjo do të thotë se OSHEE iu ka shitur klientëve si dëm ekonomik 1.5% të humbjeve joteknike.

Prej vitit 2020, kushdo që vjedh energjinë elektrike penalizohet me ‘gjobë kilovatësh” apo thënë ndryshe, sasia e energjisë e konsumuar në formë të paligjshme, konvertohet në lekë dhe faturohet.

Rregullorja i jep të drejtë çdo përdoruesi të rrjetit për t’u ankuar pranë Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes apo Entit Rregullator të Energjisë, në rast se kundërshton faturën e dëmit ekonomik të vendosur nga OSSH, ose pretendon se kjo e fundit nuk ka ndjekur dhe zbatuar rregulloren.

Ndërkaq, sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Statistikave, humbjet jo teknike ranë me 6% gjatë vitit 2024, në raport me një vit më parë. Në fakt, gjatë vitit që shkoi Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ndërmori kontrolle të shumta për abuzime me energjinë elektrike tek subjekte të ndryshme në vend.

Kontrollet u kryen në kuadër të zbatimit të ligjit dhe luftës kundër informalitetit, teksa bazuar në analizat e riskut, fokusi ishte tek subjektet që paraqisnin mundësi abuzimi me energjinë elektrike. Pas kontrolleve, subjektet ku konstatoheshin vjedhje, procedoheshin në polici për shkelje të ligjit të energjisë. Më së shumti këto subjekte operonin në zonat bregdetare./SCAN