9 gra u riatdhesuan nga Siria, SPAK ngre dyshimin e fortë

11 Prill 2024, 20:57 / AKTUALITET ALFA PRESS

9 gra u riatdhesuan nga Siria, SPAK ngre dyshimin e fortë
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpalli këtë të enjte më 11 prill vendimin për nëntë gra të riatdhesuara nga Siria, të akuzuara për pjesëmarrje në organizatë terroriste dhe pjesëmarrje në veprimtari luftarake në një shtet të huaj. Të pandehurat në këtë proces u larguan në drejtim të Sirisë në vitet 2013-2014, duke ndjekur pas bashkëshortët e tyre që shkuan të luftonin fillimisht përkrah Al Nusras dhe më pas për ISIS.

Kryesuesja e trupit gjykues, Rudina Palloj lexoi vendimmarjen për deklarimin fajtor të nëntë të pandehurave dhe dënimin e secilës prej tyre me masën e kërkuar nga prokurorja Elida Kaçkini, me 7 vjet heqje lirie që në aplikim të gjykimit të shkurtuar mbetet në masën 4 vjet e 8 muaj burg. Po ashtu, është pranuar kërkesa e prokurorisë për pezullimin e dënimit të të pandehurave dhe vendosjen e tyre në shërbim prove për pesë vjet, duke i detyruar të mos shoqërohen me persona të hetuar apo dënuar për vepra të tilla penale, si dhe të mos frekuentojnë ambiente me individë që kanë qëndrime radikale. Gjykata vendosi edhe heqjen e masës së sigurisë që u ndalonte të pandehurave lëvizjen jashtë vendit.

Nga hetimi i SPAK rezultoi se nëntë të pandehurat i janë bashkuar me vullnet të lirë në vitet 2013-2014 dy organizatave terroriste në Siri, të njohura si të tilla nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, OKB. Prokurorja Kaçkini deklaroi gjatë gjykimit se është e provuar se të pandehurat u janë bashkuar bashkëshortëve duke mbështetur ideologjinë e organizatës terroriste.

 

ide

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128