Goditja e grupit të Mir Pepës/ Sekuestrohen 232 pasuri me vlerë 12 mln €, zbardhen episodet e trafikut të kokainës

15 Prill 2026, 18:01 / AKTUALITET ALFA PRESS

Goditja e grupit të Mir Pepës/ Sekuestrohen 232 pasuri me vlerë

SPAK goditi sot grupin e strukturuar kriminal të Jetmir Pepës të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.

Gjatë viteve 2019-2021, ky grup ka operuar në Amerikën Latine në Belgjikë dhe Holandë, ku janë dokumentuar 8 episode të trafikimit të kokainës në sasi të mëdha.

Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me Eurojust, Europol dhe autoritetet ligjzbatuese në disa vende europiane. Me vendim të GJKKO-së, janë caktuar masa sigurie “arrest në burg” për 11 shtetas shqiptarë, ndërsa disa prej tyre janë ende në kërkim.

Hetimet kanë zbardhur raste të shumta të trafikut të drogës, ku përfshihen sasi të mëdha kokaine të fshehura në kontejnerë me produkte ushqimore dhe të transportuara drejt porteve europiane, kryesisht në Roterdam.

Sot, më 15.4.2026, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë bërë të mundur zbatimin e masave të sigurisë ndaj 3 shtetasve:

1. Florian Marku, i datëlindjes 20.2.1992

2. Lulzim Pepaj, i datëlindjes 06.7.1974.

3. Anton Kola, i datëlindjes 19.6.1993.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në Bashkëpunim me hetuesit e BKH vazhdojnë me veprimet proceduriale dhe operative për lokalizimin e shtetasve të tjerë, ndaj të cilëve është caktuar masa e sigurisë personale “arrest në burg”. Disa prej këtyre personave nuk ndodhen në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Ndërkohë, gjykata ka urdhëruar edhe sekuestrimin e 232 pasurive, me një vlerë totale rreth 12 milionë euro. Mes tyre përfshihen kompani, prona të paluajtshme, automjete dhe llogari bankare të personave nën hetim.

8 episodet e trafikut të lëndës narkotike

Episodi 1 – Janar- Mars 2020 – Trafikimi i një sasie të konsiderueshme lënde narkotike kokainë gjatë periudhës Janar-mars 2020. Nga kjo sasi, më 21.03.2020 u sekuestrua një sasi prej 8.5 kg në qytetin e Amsterdamit të Mbretërisë së Holandës.

Episodi 2 – 7-8 Prill 2020 – Trafikimi i një sasie prej 1,018 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, nga Peruja drejt Portit të Roterdamit të Hollandës. Ngarkesa kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije kolumbiane ndërsa lënda narkotike ishte fshehur në një enë frigoriferike që përmbante lëng frutash të ngrira. Vlera e shitjes ishte mbi 1.3 milionë euro.

Episodi 3 – 6 Qershor 2020 – Trafikimi i një sasie prej 2020 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, nga Ekuadori drejt Portit të Roterdamit të Hollandës. Kjo ngarkesë kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare nga Porti i Guayaquil, Ekuador dhe ishte e destinuar për një kompani në Hungari. Një pjesë e kësaj ngarkese i përkiste këtij grupi kriminal.

Episodi 4 – 26 Qershor 2020 – Tentativa e trafikimit të një sasie prej 516 kg lënde narkotike kokainë, e sekuestruar në Terminalin Portual Muelle Sur, DP World Callao, Peru, si dhe e destinuar për në Mbretërinë e Hollandës.

Episodi 5 – 30 Qershor 2020 – Trafikimi i një sasie prej 500 kg lënde narkotike kokainë më, e sekuestruar në Portin e Roterdamit, që kishte ardhur në një kontejner nga Kolumbia që përmbante konserva me peshk ton dhe ishte i destinuar për një kompani në Gjermani.

Episodi 6 – 7 Gusht 2020 – Trafikimi i një sasie të konsiderueshme lënde narkotike e llojit kokainë, e llogaritur në rreth 1600 kg, prej së cilës është sekuestruar një sasi prej 104 kg po në të njëjtën datë në autostradën nr A2 pranë qytetit Abcoude të Mbretërisë së Holandës.

Episodi 7 – 16 Gusht 2020 – Trafikimi i një sasie rreth 1100 pako me peshë bruto 1238,39 kg lënde narkotike kokainë, e cila ishte ishte fshehur në një ngarkesë me banane në një kontenier që vinte nga Ekuadori drejt Portit të Roterdamit në Hollandë dhe kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare e ardhur nga Porti i Antwerp, e destinuar për një kompani në Hagë.

Episodi 8 – 1 – 2 Tetor 2020 – Trafikimi i një sasie prej 531 kg lënde narkotike kokainë në Portin e Roterdamit, Hollandë, sasi e cila është kapur nga autoritetet holandeze, e fshehur në një kontenier të ngarkuar me rrush të thatë, i destinuar për në Suedi.

SEKUESTRIMET (në vlerën 12 milionë euro)

Pasuritë e Shoqërisë “P… GROUP”, sh.p.k, me seli në Tiranë, duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë.

Kuotat e Shoqërisë “HEC A…I”, sh.p.k, me seli qendrore në Fierzë, Bashkia Fushë Arrëz në masën 33.30 % , të cilat i përkasin ortakut “P… GROUP” sh.p.k.

Kuotat e Shoqërisë “B….V”, sh.p.k, me seli qendrore në Lezhë, fshati Fang, Rubik, në masën 50.00 %, të cilat i përkasin ortakut “P… GROUP” sh.p.k.

Kuotat e Shoqërisë “Sh……i 2013”, sh.p.k, me seli qendrore në Shëngjin, Lezhë, në masën 50.00 %, të cilat i përkasin ortakut L.P.

Pasuritë e Shoqërisë “O….. Hotel”, sh.p.k, me seli në Tiranë, duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë.

Pasuritë e Shoqërisë “M….. N… A………”, sh.p.k, me seli në Tiranë, duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë.

Pasuritë e Shoqërisë “E…… AL”, sh.p.k, me seli qendrore në Ishull-Shëngjin Lezhë, duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë.

60 pasuri të paluajtshme të llojeve tokë arë, tokë truall, hotel, poste parkimi dhe apartamente, me vendndodhje në Tiranë, Kamëz, Lezhë, Shëngjin, Sarandë dhe Himarë.

89 automjete të markave dhe llojeve të ndryshme (automjete teknologjike për ndërtim, transport mallrash apo autovetura).

72 llogari bankare që u përkasin personave të ndryshëm juridikë apo fizikë, si dhe shtetasve nën hetim, apo personave të lidhur me ta.

Më 15 prill 2026, Policia e Shtetit dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive kanë nisur procedurat për bllokimin e këtyre aseteve në zyrat e regjistrimit dhe në bankat e nivelit të dytë.

Po ndodh...

ide