
Hetimet për 102 kontenierët me mbetje të dyshuara toksike, Prokuroria e Durrësit: Shumë shpejt do procedohet me marrjen dhe analizimin e mostrave

Prokuroria e Durrësit ka dhënë disa informacicone në lidhje me hetimet për 102 kontenierët me mbetje të dyshuara toksike.
Në njoftimin zyrtar prokuroria thotë se aktualisht është identifikuar laboratori që plotëson dhe ka infrastrukturën për garantimin e respektimit të të gjitha protokolleve dhe standardeve ndërkombëtare dhe shumë shpejt do procedohet me marrjen dhe analizimin e mostrave.
Organi i akuzës thotë se iu drejtua Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit me qëllim identifikimin e laboratorëve privatë që operojnë në Shqipëri dhe që kanë ekspertizë në testimin e substancave të tjera të rrezikshme dhe që plotësojnë një sërë kriteresh të përgjithshme dhe specifike.
Po ashtu, Prokuroria në kuadër të këtij procedimi penal, Bazel Action Netëork dhe Mileukontakt Shqipëri, përfaqësuar nga Jim Puckett, i është drejtuar Prokurorisë Durrës nëpërmjet një emaili duke kërkuar që të pyetet si dëshmitar dhe të marë pjesë si ekspert dhe vëzhgues gjatë procesit të marrjes së mostrave dhe analizimit.
Nisur nga disa lajme të bëra publike në mediat online por edhe nga interesi i lartë në të njëjtën kohë, gjejmë me vend të informojmë opinionin publik mbi ecurinë e hetimeve për 102 kontenierët e sekuestruar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Durrës më 28.10.2024.
Kjo prokurori, në kuadër të procedimit penal nr.1596, të vitit 2024, të regjistruar për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, parashikuar nga neni 171 i Kodit Penal, “Transportimi i mbetjeve”, parashikuar nga neni 201/b i Kodit Penal, si dhe “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, është duke kryer hetime intensive.
Fillimisht, në kuadër të këtij procedimi janë sekuestruar 102 kontenierë, të cilët janë transportuar në Shqipëri me anijen MOLIVA XA443A të mbërritur në Portin e Durrësit në datë 28.10.2024.
Duke marrë parasysh dyshimet për rrezikshmërinë e substancave që përmban materiali që ndodhet në këta kontenierë si dhe volumin i madh (102 kontenierë) dhe kujdesin maksimal për respektimin e të gjitha praktikave më të mira ndërkombëtare gjatë procesit të marrjes së mostrave, transportimit, ruajtjes dhe analizmit të tyre, Prokuroria Durrës i është drejtuar zyrtarisht të gjitha ministrive që kanë në varësi ente, laboratore dhe institucione që operojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë me qëllim realizimin e këtij proceseve komplekse.
Në mungesë të infrastruktuës dhe mjeteve të posaçme për kryerjen e gjithë zinxhirit të proceseve sipas praktikave ndërkombëtare, i jemi drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit me qëllim identifikimin e laboratorëve privatë që operojnë në Shqipëri që kanë ekspertizë në testimin e substancave të tjera të rrezikshme dhe që plotësojnë një sërë kriteresh të përgjithshme dhe specifike si:
– Të jenë të akredituar për matjen e metaleve të rënda, PAH-ve, Dioxina-ve dhe PCB-ve sipas normave ndërkombëtare;
– Të kenë mundësinë për krijimin e protokolleve të forta për ruajtjen e një zinxhiri të pandërprerë të kujdesit për të siguruar integritetin e mostrave (regjistrime të detajuara për çdo hap, nga marrja e mostrës deri te analiza);
– Të kenë ekspertë me eksperiencë në fushën e analizave kimike, të mbetjeve (skorieve të metaleve dhe hirit të termocentraleve; dhe
– Të ketë sisteme të menaxhimit të informacionit të laboratorit (LIMS) të validuara për menaxhimin e sigurt të të dhënave, gjurmueshmërinë dhe gjenerimin e raporteve.
Aktualisht është identifikuar laboratori që plotëson dhe ka infrastrukturën për garantimin e respektimit të të gjitha protokolleve dhe standardeve ndërkombëtare dhe shumë shpejt do procedohet me marrjen dhe analizimin e mostrave.
Gjithashtu, gjejmë me vend të sqarojmë opininon publik se, në kuadër të këtij procedimi penal, Bazel Action Netëork dhe Mileukontakt Shqipëri, përfaqësuar nga Jim Puckett, i është drejtuar Prokurorisë Durrës nëpërmjet një emaili duke kërkuar që të pyetet si dëshmitar dhe të marë pjesë si ekspert dhe vëzhgues gjatë procesit të marrjes së mostrave dhe analizimit.
Në respektim të dispozitave ligjit procedural penal, Z.Puckett është ftuar për t’u paraqitur në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës në datë 04.12.2024 me qëllim dhënien e dëshmisë dhe dorëzimin e provave që dispononte. Në pamundësi të paraqitjes së tij fizikisht, Z.Puckett i ka dërguar nëpërmjet e-mailit.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Durrës ka vijuar me intensitet dhe përparësi kryerjen e veprimeve hetimore në lidhje me këtë procedim penal dhe gjithashtu do të vijojë të informojë publikun në lidhje me këtë çështje që mbart interes të lartë publik.

Enkelejdi i vogël në politikën e madhe
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128