Pagesa 150 mijë euro nga Lul Morina çoi Saimir Tahirin në SPAK

28 Qershor 2024, 17:25 / AKTUALITET ALFA PRESS

Pagesa 150 mijë euro nga Lul Morina çoi Saimir Tahirin në SPAK
Hetimi pasuror që prokuroria e posaçme SPAK, ka hapur ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ka zbuluar një transaksion të dytë banke që biznesmeni Lulzim Morina, i ka bërë ish-zyrtarit të PS, që tashmë po vuan dënimin në kushte shtëpiake.

“Ora News”, ka mësuar se SPAK ka zbuluar se veç transfertës bankare prej 80 mijë euro që Morina, ka bërë në llogarinë e bashkëshortes së Tahirit, është kryer dhe një transaksion i dytë me vlerë prej 150 mijë euro.

Kjo shumë financiare është dhënë nga Morina, pasi ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ka dalë nga burgu.

Zbulimi i këtij transaksioni është bërë shkak, që SPAK thërriti pak ditë më parë dhe pyeti Saimir Tahirin, i cili ka dhënë shpjegime edhe për disa pasuri të tjera që disponon ai dhe njerëzit e familjes së tij.

Tashmë që SPAK ka administruar dëshminë e Tahirit, disa biznesmenëve dhe familjarëve të tij, prokuroria e Posaçme SPAK, mësohet se në ditët në vijim të caktojë tre ekspertë kontabël, për të kryer ekspertimin ekonomik të shpenzimeve dhe të ardhura si dhe pasurisë së plotë, të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Tahiri po i nënshtrohet një procesi që ngjan me mënyrën e hetimore që kryen dhe “Vettingu” për prokurorët dhe gjyqtarët.

Tre ekspertët kontabël, pas analizimit matematikor të gjendjes financiare dhe kapitaleve që zotëron Tahiri, do dalin me një raport përfundimtar lidhur me bilancin pasuror negativ dhe pozitiv që mund të ketë.

Mbi bazën dhe të dhënat që tre ekspertët financiarë do arrijnë të nxjerrin, atëherë SPAK do konkludojë në një vendimmarrje për sekuestrimin ose jo të pasurisë së ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri./Ora News

 

Po ndodh...