Peticioni për gjuhën shqipe, AMA e gjuhëtarët: Duhet kujdes! Emërtimet e emisioneve në gjuhë të huaj, në dëm të shqipes

20 Shkurt 2024, 17:31 / AKTUALITET ALFA PRESS

Peticioni për gjuhën shqipe, AMA e gjuhëtarët: Duhet kujdes!
Nën thirrjen për të “Folur shqip” Autoriteti i Mediave Audiovizive organizoi sot një takim me synimin për të nxitur mbrojtjen dhe dashurinë ndaj gjuhës sonë.

“Duke pasur këtë lloj ndërgjegjeje, menduam të zhvillonim këtë takim, i cili nuk besoj se do të jetë i pari” u shpreh Armela Krasniqi, kryetare e AMA-s.
Mesazhet që u përcollën nga gjuhëtarë e pedagogë, veçmas shkuan për mediet. Përdorimi i shpeshtë i huazimeve të panevojshme, përfshirë emërtimin e emisioneve në gjuhë të huaj, titujt ‘abuziv’ dhe me gabime të lajmeve, bënë që të pranishmit të theksonin nevojën për më shumë filtra.

“Në jetën e përditshme të rinjtë thonë: ‘A e pe ‘Dance-ing mbrëmë’, ‘A e pe Big-un mbrëmë’ etj., pra përfshin një fjalë të gjuhës angleze, që për një popullsi të vogël si e jona, shpeshherë është  e dëmshme”, shprehet pedagogia Linda Mëniku.
Rivlerësimi i rolit të redaktorit letrar, veçmas për mediet e shkruara, por edhe ndërfutja e programeve kompjuterikë apo doracakëve virtualë në redaksitë mediatike u paraqitën si elementë që do të përmirësonin situatën dhe në përhapjen korrekte të standardit të shqipes.

“Përshembull, unë them që fjalën “speaker” e zëvendësojmë me fjalën “folësi”, por fjalën “spiker-oj” skemi asnjë nevojë që ta përdorim. Pra, secili prej nesh në punën e tij, si gazetarët ashtu edhe gjuhëtarët, mund të bëjë një punë të vogël që është me rëndësi të madhe”, shprehet akademiku dhe gjuhëtari Gjovalin Shkurtaj.
Ky takim vjen pas Peticionit të firmosur nga një grup akademikësh e studiuesish, drejtuar edhe AMA-s, ku kërkohet monitorim dhe të merren  masa konkrete për rastet që deformojnë gjuhën shqipe.

“Kjo letër nuk ka ardhur ende në institucionin tonë, sapo të mbërrijë, në bazë të ligjit, rregulloreve, akteve nënligjore që ka institucioni ne do të veprojmë”, shprehet më tej Krasniqi.
Një nga problemet që shtrohet në peticion është edhe dezinformimi, ku individë të caktuar paraqesin hipoteza shkencore të pabazuara.

“Ma merr mendja që është e mira e kombit shqiptar, e kulturës shqiptare që për probleme të tilla të rëndësishme sicc është historia e Gjuhës Shqipe, apo origjina e saj..., kërkojnë njeriun kompetent që është marrë me to”, thotë akademiku Shkurtaj.
Një nga rastet, që i është dhënë më shumë zë është pretendimi, se shqipja është gjuha më e lashtë në botë. Por çfarë mund të bëjë AMA në rase të tilla?

“Institucioni funksionon në bazë të ankesave, ne kemi Këshillin e Ankesave që është një strukturë e pavarur në institucion. Dhe, institucioni pasi e merr ankesën për atë përmbajtje audiovizive, e shqyrton, e analizon dhe më pas del në një konluzion që ua komunuikon edhe palëve”, thotë më tej Krasniqi.
Mungesa e fjalëve zëvendësuese për terma të caktuar të huaj bëri që të cekej nevoja për mobilizim më të madh të gjuhëtarëve. Një nga nismat që pritet të vijë në ndihmë, është Fjalori i madh i Gjuhës Shqipe që po përgatitet nga Akademia e Shkencave. 

Gjuhëtarët në këtë takim përmendën edhe rolin vendimtar të teksteve dhe mësuesve përmes të cilëve përçohet shqipja. Institucionet akademike, në këtë aspekt kanë kërkuar që t’u jepet prioritet nga Ministria e Arsimit botimeve të certifikuara.

Me në fokus ndërgjegjësimin, AMA premtoi të tjera takime e seminare mes grupeve kryesorë të interesit.

 

Po ndodh...