Bisedimet për paqe, Zelensky: Kemi propozuar hapa konkretë, Rusia duhet të detyrohet t’i pranojë

7 Mars 2025, 20:08 / BOTA ALFA PRESS

Bisedimet për paqe, Zelensky: Kemi propozuar hapa konkretë, Rusia

Në një reagim të fundit, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, është shprehur se  Ukraina është gati për paqe sa më shpejt të jetë e mundur dhe se ta kanë propozuar hapa konkretë.

Në të njëjtën kohë, ai theksoi se “çdo ditë, sulmet e reja ruse dhe vetë realiteti dëshmojnë se është Rusia ajo që duhet të detyrohet në paqe – të ndalojë luftën, të përfshihet në diplomaci të vërtetë, të garantojë siguri dhe një paqe të besueshme dhe të qëndrueshme”.

Deklarata e Zelensky-t erdhi në kohën kur presidenti amerikan Donald Trump, deklaroi nga Zyra Ovale se është “më e lehtë të flasësh me Rusinë sesa me Ukrainën, Putini i ka të gjitha kartat” në duart e tij”.

“Unë mendoj se ne po ia dalim shumë mirë me Rusinë. Por, për momentin ata janë duke bombarduar pa mëshirë Ukrainën”, ka thënë Trump.

Presidenti amerikan ka pritshmëri për takimin e javës së ardhshme midis delegacionit amerikan dhe delegacionit ukrainas në Arabinë Saudite, teksa ka shtuar se po mundohet ta ndihmojë Ukrainën.

Trump ka thënë se mendon që presidenti rus, Vladimir Putin po e bën atë “që secili nga ne do ta bënte” dhe se ai dëshiron t’i japë fund kësaj lufte.

Ai ka shtuar se Ukraina po merr dënim të jashtëzakonshëm, por është i pasigurt nëse Kievi zyrtar dëshiron me të vërtetë t’i japë fund konfliktit – “unë mendoj se ata duan, megjithëse nuk e kam të qartë”.