Donald Trump vendos tarifa 25% ndaj Japonisë dhe Koresë së Jugut, afat deri më 9 korrik për marrëveshje të reja tregtare

7 Korrik 2025, 19:16 / BOTA ALFA PRESS

Donald Trump vendos tarifa 25% ndaj Japonisë dhe Koresë së Jugut,

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar vendosjen e tarifave doganore prej 25% mbi importet nga Japonia dhe Koreja e Jugut, me efekt nga 1 gushti.

Vendimi u bë i ditur përmes dy letrave zyrtare që ai publikoi në platformën Truth Social, të adresuara personalisht liderëve të dy vendeve aziatike.

Sipas CNN, në këto letra Trump shpreh shqetësimin e tij për defiçitet tregtare që Shtetet e Bashkuara kanë me Japoninë dhe Korenë e Jugut, duke theksuar se SHBA importon më shumë mallra nga këto vende sesa që eksporton.

Ai argumenton se tarifat po vendosen si reagim ndaj politikave që, sipas tij, pengojnë shitjen e produkteve amerikane jashtë vendit.

Në të njëjtën kohë, Trump u bën thirrje kompanive japoneze dhe koreano-jugore që të zhvendosin prodhimin e tyre në SHBA, në mënyrë që të shmangin tarifat e reja.

“Nëse investoni në SHBA, nuk do të ketë asnjë tarifë”, premton Trump, duke shtuar se procedurat për lejet e nevojshme do të përshpejtohen. “Nëse për ndonjë arsye vendosni të rrisni tarifat tuaja, atëherë kjo përqindje do t’i shtohet 25% që ne aplikojmë,” paralajmëron presidenti amerikan në letrat e tij.

Trump ka vendosur afat deri më 9 korrik për të arritur marrëveshje të reja tregtare, pasi në atë datë skadon pezullimi i përkohshëm i tarifave reciproke që ishte në fuqi që nga prilli.

Ai gjithashtu nuk përjashton mundësinë që të ndërmarrë veprime të ngjashme edhe ndaj vendeve të tjera, duke paralajmëruar se po shqyrton dërgimin e letrave të ngjashme në drejtim të partnerëve të tjerë tregtarë të SHBA.

 

Po ndodh...