Megaoperacion ndërkombëtar kundër piraterisë audiovizive/ 102 e persona nën hetim, mbi 250 milionë euro në muaj qarkullim i paligjshëm

27 Nëntor 2024, 21:35 / BOTA ALFA PRESS

Megaoperacion ndërkombëtar kundër piraterisë audiovizive/

Policia italiane, në bashkëpunim me Prokurorinë e Katanias, Eurojust dhe Europol, kreu Operacionin Takedown, duke shkatërruar rrjetin më të madh transnacional të piraterisë audiovizive, që shërbente ilegalisht mbi 22 milionë përdorues në Europë.

Operacioni sekuestroi mbi 2500 kanale dhe serverë të paligjshëm, që gjeneronin rreth 250 milionë euro në muaj, duke shkaktuar dëme ekonomike prej mbi 10 miliardë euro për kompanitë ligjore. Akuzat përfshijnë shkelje të së drejtës së autorit, mashtrim kompjuterik dhe akses të paautorizuar në sisteme informatike.

Janë kryer 89 kontrolle në Itali dhe 14 në shtete si Mbretëria e Bashkuar, Suedia, Holanda dhe Rumania, duke përfshirë 102 të dyshuar. Policia kroate arrestoi 11 persona, ndërsa u identifikuan serverë në Hong Kong dhe Rumani që shpërndanin sinjalet e piratuara.

Platforma të njohura si Sky, Dazn, Netflix dhe Disney+ ishin shënjestra kryesore. Në operacion u sekuestruan mbi 1.65 milionë euro në kriptovaluta dhe 40 mijë euro para në dorë.

CEO i Sky Italia, Andrea Duilio, dhe përfaqësues të Dazn e përshëndetën operacionin, duke e cilësuar si një goditje të rëndësishme ndaj piraterisë, që rrezikon industrinë audiovizive dhe mijëra vende pune.

Operacioni gjithashtu synon të ndëshkojë përdoruesit që blenë shërbimet e paligjshme, duke paralajmëruar për pasoja ligjore dhe gjoba të rënda.

 

Po ndodh...

ide