Skandal në Suedi/ Ministri zbulon se i biri ka pasur lidhje me grupe ekstremiste neo-naziste: Tani është penduar!

11 Korrik 2025, 14:46 / BOTA ALFA PRESS

Skandal në Suedi/ Ministri zbulon se i biri ka pasur lidhje me grupe

Ministri suedez Johan Forssell ka zbuluar se djali i tij adoleshent ka pasur lidhje me grupe ekstremiste neo-naziste, por thotë se 16 vjeçari është penduar dhe nuk është nën hetim. Ngjarja ka shkaktuar debat dhe kritika ndaj qeverisë për standarde të dyfishta në trajtimin e ekstremizmit

Ministri suedez i Migracionit dhe Politikës së Azilit, Johan Forssell, ka zbuluar se djali i tij 16-vjeçar ka pasur lidhje me grupe ekstremiste të djathta, përfshirë edhe bashkëpunime me Lëvizjen Nordike të Rezistencës, një organizatë neo-naziste aktive në rajon.

Gjithccka erdhi pasi organizata suedeze kundër racizmit bëri publike informacione për një të afërm të një ministri që kishte veprimtari të theksuara me ta.

Forssell konfirmoi se bëhej fjalë për djalin e tij, duke sqaruar se nuk kishte qenë në dijeni deri kur u kontaktua nga shërbimi sekret disa javë më pare.

“Shumë prindër ndoshta mund të lidhen me ndjenjën e mosnjohjes së plotë të asaj që fëmijët e tyre bëjnë në rrjetet sociale,” tha ministri.

Sipas tij, djali është penduar, ka ndërprerë çdo kontakt me grupet dhe nuk është nën hetim penal. Bazur mbi këtë fakt thotë se nuk ka arsye të japë dorëheqjen.

Ai shtoi se kishte zgjedhur të mos e bënte publike më herët për të mbrojtur privatësinë e një të mituri dhe jo për të ruajtur imazhin politik.

Pavarësisht kësaj, opozita ka paralajmëruar se do ta thërrasë ministrin në një komision parlamentar pas pushimeve verore për të dhënë shpjegime.

Ndërkohë, Kryeministri Ulf Kristersson ka shprehur mbështetjen e tij për Forssellin, duke thënë se ai ka vepruar si një prind i përgjegjshëm në rrethana të vështira.

Ngjarja ka hapur debat të gjerë në opinionin publik, sidomos përballë kritikave ndaj qeverisë për bashkëpunimin e saj me partinë Demokratët e Suedisë, e cila ka origjinë të lidhur me qarqe nacionaliste ekstreme.

 

Po ndodh...